Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar të shqyrtojë rastin e këshilltarit të Ministrit Liburn Aliu, Florent Ramqajn, pas disa përgjimeve që u publikuan para disa ditësh e që ngrisin dyshime mbi një aferë korrupsioni.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj.
Buleshkaj ka deklaruar se Agjencia ka filluar ta shqyrtojë këtë rast, për të vërtetuar nëse ka ndonjë element që duhet të verifikohet apo hetohet.
“Agjencia ka filluar ta shqyrtoj këtë rast në përputhje me fushëveprimtarinë e vet, për të vërtetuar nëse ka ndonjë element i cili duhet të verifikohet/hetohet nga AKK”, ka deklaruar Buleshkaj për Express.
Për këtë rast është deklaruar edhe Ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu. Në Pressing të T7, Aliu i doli në mbrotje Ramqajt, duke thënë se po goditet vetëm për shkak të shkathtësive të tij në punë.
Ai deklaroi se do të merrte masa ndaj Ramqajt po të vërtetohej fajësia e tij nga organet e rendit.
“Nëse doni me marrë në qafë një djalë pse kryen punë mirë, veç pse është i VV’së e pse tash duhet me dënuar, nuk keni të drejtë”, tha Aliu.
“Po të dalë ashtu (nga Prokuroria) po natyrisht që marrim masa. Atëherë po, ama kështu me këto shigjeta….”, tha ai.
Ndërkohë, vetë Ramqaj i ka quajtur shpifje raportimet e fundit.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë. Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka thënë Ramqaj.
Ai u kishte bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë e tij.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar Ramqaj.
Në fund, kishte paralajmëruar ankesë dhe padi për shpifje ndaj mediumit që kishte publikuar përgjimet.
“Me krimin dhe korrupsionin që e kemi hasur në këtë ministri, kemi pritur sulme të tilla. Luftën me krimin e organizuar nuk e kemi menduar asnjëherë të lehtë. Sa me madhe lufta jonë, aq i madh sikleti i tyre. Mbi këto shpifje dhe të pavërteta nga nesër do të merrem me përgatitjen e ankesës dhe padisë për shpifje.”, përfundoi ai.