Anulimi i Listës së çmimeve të barnave, Haxhiu: Ndaluam zhvatjen milionëshe në dëm të pacientëve

Prishtinë | 08 Qer 2024 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka reaguar në lidhje me anulimin e Listës së çmimit të barnave, duke thënë se kjo është fitore për qytetarët.

Haxhiu tutje ka thënë se ky vendim ka dëshmuar dështimin e Qeverisë Kurti në përpjekjen për të rritur çmimet e barnave në interes të kompanive të caktuara faramceutike.

“Vendimi për anulimin e Listës së çmimit të barnave është fitore për qytetarët. Me këtë vendim u dëshmua dështimi i qeverisë Kurti në përpjekjen për të rritur çmimet e barnave në interes të kompanive të caktuara faramceutike dhe në dëm të pacientëve. Ky anulim vjen pas reagimit të vazhdueshëm që kemi bërë pas publikimit të Listës së cmimeve të barnave, miratuar nga Qeveria Kurti e ku çmimet e publikuara të barnave ishin shumë më shtrenjtë se sa janë aktualisht në barnatore”, ka shkruar Haxhiu.

Ai tutje ka thënë se kësaj radhe ia kanë arritur që të ndalojnë zhvatje milionëshe në dëm të pacientëve.

“Kësaj radhe ja arritëm të ndalojmë zhvatje milionëshe në dëm të pacientëve. Falenderoj te gjitha mediat që i kushtuan vëmendje shqetësimit tonë dhe të qytetarëve që kundërshtuam rritjen e çmimit të barnave në mënyrë abuzive dhe korruptuese nga ana e qeverisë”, ka shkruar Haxhiu.

Të ngjashme