“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.
Kjo revoltoi qytetarët e padyshim edhe artistët kosovarë. Një ndër ta është regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili tashmë ka ngrit një iniciativë me titull “Apel për ndihmë”, ku njëkohësisht kjo do të jetë edhe një protestë artistike që vjen të martën mu para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Mehmeti, për KultPlus dha detajet në lidhje me këtë protestë artistike, së cilës tashmë veç kanë nis të i përgjigjen qytetarët e Kosovës.
“Realisht filloi si nevojë e reagimit qytetarë për ngritjen e pagave, e unë si artist mendova që me ba një iniciativë kreative që mundet me kanë edhe artistike por edhe me dërgu mesazhin në vendin e duhur. Apeli fillojë si “shaka” por me interesimin e njerëzve atëherë u mobilizuam që ta shtyjmë deri në fund. Apeli im tash është që të martën njerëz të vullnetit të mirë të shkojmë dhe t’i dërgojmë kravatat kryeministrit”, tha për KultPlus, Kushtrim Mehmeti.
Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00.