Tridhjetë ditë i ka afat Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) që të rivendosë rreth revokimit të lejeqëndrimeve ndaj dy shtetasve turq, Cihan Ozkan dhe Mustafa Erden, të cilët së bashku edhe me katër të tjerë u dëbuan vitin e kaluar nga autoritetet kosovare për në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.
Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkallës së parë, bazuar edhe në vendimin e plotë që e posedon “Koha Ditore”, ka konstatuar se Divizoni për të Huaj i kësaj ministrie, duke pasur për bazë arsyetimin për revokim, nuk e ka arsyetuar dhe as mbështetur në prova atë. Po ashtu, ka konstatuar se janë bërë shkelje procedurale gjatë marrjes së vendimit.
Më 29 mars të vitit të kaluar, me kërkesë të autoriteteve turke, organet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.
Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
Për gjashtë shtetasit turq Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk Fetullah Gulen. Këtë të fundit autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht shtet në Turqi në vitin 2016.
Pas dëbimit, familjarët e tyre në Kosovë, përmes avokatëve kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjykata i ka marrë për bazë paditë e dy prej tyre: Cihan Ozkan dhe Mustafa Erden.