Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka ulur dënimin e Salih Mustafës nga 22 në 15 vjet burgim.
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur të ulë dënimin e Salih Mustafës nga 22 në 15 vjet burgim.
Vendimi u mor më 10 shtator 2024, pas shqyrtimit të dënimeve të shqiptuara ndaj Mustafës “për krimet e luftës, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme”.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.
Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet në njoftim.
Fillimisht, më 16 dhjetor 2022, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues për këto krime lufte. Mustafa gjithashtu u urdhërua të paguajë 207,000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.
Mustafa apeloi vendimin, dhe më 14 dhjetor 2023, Gjykata e Apelit e uli dënimin e tij nga 26 në 22 vjet burgim, duke miratuar pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.
Pas një kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit që lidhej me dënimin e tij prej 22 vjetësh. Çështja u rikthye në Apel për rishqyrtim, duke rezultuar në uljen e dënimit të tij në 15 vjet burgim.
Vendimi mund të gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.