Ftesa e presidentit Thaçi ndaj kryeprokurorit Lumezi për t’i zbardhur vrasjet, në veçanti ato të pasluftës, po shihet si hipokrizi. Madje akterët politikë thonë se deklarata e presidentit është nxitur nga procesi i Gjykatës Speciale. Madje në LDK thonë se vetë Thaçi është përgjegjësi për krimet e pasluftës
Kërkesa e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, drejtuar kryeprokurorit Aleksandër Lumezit për t’i zbardhur të gjitha krimet e luftës dhe të pasluftës, është cilësuar si aspak serioze. Përfaqësuesit e partive kryesore në vend konsiderojnë se një veprim të tillë presidenti Thaçi e ka bërë vetëm për qëllime personale, që ta shfajësojë veten dhe t’i ikë sadopak Gjykatës Speciale.
Madje anëtarë të LDK-së kanë vlerësuar se vetë presidenti Thaçi është përgjegjësi kryesor për krimet e pasluftës derisa partitë opozitare veprimin e fundit të tij e kanë cilësuar si tejet absurd. Kjo pasi, siç thonë ato, krimet e pasluftës dyshohet haptas t’i ketë kryer SHIK-u, që në atë kohë udhëhiqej nga i pari i PDK-së, Kadri Veseli.
Në anën tjetër njohësit e Kodit Penal i kanë thënë gazetës “Zëri” se dosjet e vrasjeve në veçanti të atyre të pasluftës duhet të hapen sa më shpejt. Ndërkaq, hulumtuesit dhe njohësit e drejtësisë thonë se kryeprokurori nuk duhet assesi të pranojë këshilla se kë duhet hetuar e kë jo, qoftë ai edhe presidenti.