Gjykata e Apelit ka vendosur që seanca ndaj aktivistëve të dënuar të Lëvizjes Vetëvendosje të mbahet më 22 shkurt.
Këtë e ka pohuar deputetja, Albulena Haxhiu, ku shton se rasti ndaj tyre është i montuar, përcjell Klan Kosova.
“Më 22 Shkurt, Gjykata e Apelit paska vendosur seancën për aktivistët tanë të cilëve iu montua rasti i sulmit në Kuvend, padrejtësisht, pa asnjë provë dhe u dënuan me mbi 21 vite burgim vetëm në bazë të indiceve, paragjykimeve e interpretimeve të Beqir Kalludrës”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Aktivistët tanë, Egzoni, Frashëri, Adea dhe Atdheu janë të pafajshëm dhe Gjykata e Apelit duhet ta zhbëjë atë aktgjykim skandaloz, joprofesional, politik e të padrejtë!”.