Gjykata e Apelit e ka vërtetuar si të ligjshëm vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kundër Postës së Kosovës, e cila kishte lidhur marrëveshje të jashtëligjshme për hapjen e zyrave në institucione qendrore dhe lokale. Vendimi i AKK-së fillimisht ishte vërtetuar nga Gjykata Themelore, por pas ankesës së Postës së Kosovës lënda kishte shkuar në Gjykatën e Apelit.
Në dy aktgjykimet vërtetohet vendimi i AKK-së, i cili konstaton se po dëmtohet konkurrenca për vendosjen e pikave të Postës nëpër objekte të institucioneve publike, shkruan Koha Ditore.
Me gjithë vendimin e Themelores, Posta kishte bërë kërkesa për hapjen e zyrave postare në regjione të ndryshme të Kosovës, duke vendosur në sportele në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe ato të Regjistrimit civil. Posta kishte kërkuar që të ketë zyrë në Lipjan, Drenas, Kastriot, Dragash, Klinë, Gjakovë, Junik, Viti dhe Shtërpcë.
Posta e Kosovës në vitin 2015 kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me MPB-në për shërbim të pagesave, duke vendosur filialet brenda objektit të MPB-së. Në të njëjtin vit kishte arritur marrëveshje të tilla edhe me disa institucione të tjera, si Komuna e Prishtinës, e Gjilanit dhe e Mitrovicës.