Aktakuzë ndaj zyrtarit të postës në Krushë të Madhe, ngarkohet se nuk i dërgoi 91 dërgesa postare

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 7 mars të këtij viti, ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj Habib Hotit, punëtor i sportelit në zyrën postare në Krushë të Madhe.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Hoti akuzohet se nuk i ka dërguar 91 dërgesa postare në adresat e klientëve, por ato i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij private. Ai po akuzohet se ka falsifikuar edhe 17 nënshkrime të klientëve.

Sipas aktakuzës, Habib Hoti po akuzohet se në periudhën kohore nga muaji shkurt e deri në muajin korrik të vitit 2021, në cilësinë e personit zyrtar-punëtor sporteli në zyrën postare në Krushë të Madhe, Komuna e Rahovecit, me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij.

Në aktin akuzues thuhet se këtë e ka bërë në atë mënyrë që nuk i ka dërguar 91 dërgesa postare të Postës së Kosovës në adresat e klientëve, dhe atë: 25 dërgesa postare të porositura “R” dhe lajmërim marrje “LM”, 14 dërgesa “CN” ndërkombëtare, 34 dërgesa të thjeshta ndërkombëtare dhe 18 dërgesa të thjeshta vendore, por dërgesat i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij private, ashtu që me këto veprime i ka shkaktuar dëm Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” Sh.A.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i njëjti me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, ka falsifikuar nënshkrimet e klientëve, në atë mënyrë që ka nënshkruar në librin zyrtar të protokollit në postë në emër të klientëve për 17 dërgesa postare se kinse të njëjtat i kanë pranuar klientët, e që dërgesat nuk i ka shpërndarë fare, por i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij privat.

Më këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427, paragrafi 1 të Kodit Penal. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme