Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të katër të dyshuarve të tjerë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar që hetimet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet e rastit.
Përmes një reagimi publik, Sveçla ka theksuar se hetimet duhet të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në vënien para drejtësisë jo vetëm të autorëve të dyshuar, por edhe të të gjithë personave që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e krimit.
Ai ka ritheksuar se vrasja e grave nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj.
Sveçla ka përmendur edhe dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla.
Në reagimin e tij, ministri ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së personave që mund të kenë qenë në dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda Zekaj, por që nuk kanë ndërmarrë veprime për ta mbrojtur.
Ai ka kërkuar që çdo rrethanë dhe çdo shkelje e mundshme të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me ligjin.
“Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, ka theksuar Sveçla.