Policët e stacionit të Ferizajt, në bashkëpunim me SHFMU “Tefik Çanga”, kanë realizuar aktivitet vetëdijesues dhe parandalues në kuadër të projektit “Shpejtësia Vret”, në rrugën “Ahmet Kaçiku dhe Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.
Në këtë aktivitet janë angazhuar dhjetë nxënës të klasave VIII-IX, të cilët, së bashku me zyrtarët policorë, kanë marrë pjesë në pikat e kontrollit në komunikacion, duke shpërndarë broshura informuese për shoferët e automjeteve.
Gjatë kontrolleve, shoferët janë informuar për rreziqet dhe pasojat që mund të shkaktojë tejkalimi i shpejtësisë, si dhe për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut rrugor.
Në kuadër të këtij aktiviteti janë shpërndarë rreth 150 broshura informuese, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së pjesëmarrësve në trafik dhe rritjes së sigurisë rrugore.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë shoferët e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut, sepse shpejtësia e papërshtatshme rrezikon jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.