Apeli vërteton dënimin me 2 vite burgim ndaj zyrtarit korrektues të Dubravës që kishte marrë nga të burgosurit ryshfet

Prishtinë | 17 Gus 2025 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila më 11 dhjetor 2024 e kishte dënuar me 2 vite burgim zyrtarin korrektues në Dubravë për akuzën se përfitoi 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Shefqet Gashaj, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Pejë, i datës 26.12.2024, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ankesë ndaj vendimit të Themelores del se ka parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shefqet Gashaj, avokati Gëzim Kollçaku, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë, si dhe të shkurtohet kohëzgjatja e masës së dënimit plotësues.

Pas ankesës, Apeli ka caktuar seancën e kolegjit, të cilën avokati Kollçaku ka kërkuar ta shtyjë për shkak të një udhëtimi. Mirëpo, seanca është mbajtur në mungesë të palëve, pasi që nuk është bashkëngjitur asnjë provë për arsyetim të udhëtimit.

Ndaj ankesës, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës me shkrim të datës 07.02.2025, i propozoi gjykatës që ankesa e mbrojtësit të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjetjet e gjykatës

Apeli ka konstatuar se vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe nuk përmban as shkelje të ligjit penal në dëm të të akuzuarit, që do të kushtëzonte pastaj anulimin e vendimit.

Apeli ka sqaruar se gjendja faktike nuk ka qenë objekt i vlerësimit të gjykatës, pasi që Gashaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale në shqyrtimin fillestar.

Po ashtu, Apeli ka sqaruar se Themelorja drejt ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, prandaj pretendimet e avokatit Kollçaku në ankesë lidhur me këto rrethana nuk ndikojnë në zvogëlimin e dënimit të shqiptuar.

“…atëherë, konsiderojmë se dënimi i shqiptuar të akuzuarit nga gjykata e shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, ngase është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, intensitetin e rrezikshmërisë së veprës penale, e po ashtu është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale”, thuhet në po këtë vendim.

Po ashtu, ankesa e avokatit Kollçaku është refuzuar si e pabazuar nga Apeli, lidhur me masën e ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike apo shërbime publike, e shqiptuar nga Themelorja me arsyetimin se është e bazuar në Kodin Penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 nëntor 2024, Shefqet Gashaj akuzohej se nga muaji nëntor 2022 e në vazhdimësi deri në muajin janar 2023, në fshatin Dubravë, Komuna e Istogut, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete dhe për persona të tjerë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim me kontratën e punës dhe rregulloren e brendshme për trajtimin e të dënuarve të burgosur.

Sipas aktakuzës, si mbikëqyrës i pavijonit 3 në Qendrën Korrektuese të Dubravës, nga i burgosuri F.M., kërkon shumën prej 300 euro, me arsyetimin se e ka bashkëshorten e sëmurë, dhe i burgosuri ia dërgon të hollat përmes familjarëve të tij me RIA. I akuzuari i tejkalon kompetencat e tij dhe të burgosurit F.M. i mundëson të bëjë thirrje telefonike nga kabinat e pavijonit 3 në çdo kohë – dhe atë 240 thirrje telefonike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti nga i burgosuri tjetër G.S. kërkon shumën prej 500 euro me arsyetimin se ka nevojë për operim të gishtit. Ai pranon të holla nga personi E.S. në një restorant, ku i akuzuari ia mundëson të bëjë thirrje telefonike të burgosurit në çdo kohë – dhe atë 301 thirrje.

Me të njëjtat arsyetime, aktakuza thotë se kishte vazhduar edhe për të burgosurin N.B., duke i kërkuar shumën prej 300 euro, e më pas ia lejon 115 thirrje telefonike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gashaj më 14 janar 2023, nga i burgosuri G.S., kërkon një veturë në shfrytëzim – konkretisht një “Golf 7” nga vëllai i të burgosurit – të cilën e shfrytëzon nga 14 janari deri më 26 janar 2023, dhe përfiton 480 euro, duke i mundësuar të burgosurit thirrje telefonike në çdo kohë.

Në këtë mënyrë, i akuzuari thuhet se, në cilësinë e personit zyrtar dhe duke tejkaluar kompetencat e tij, përfiton shumën e përgjithshme prej 1 mijë e 880 euro, ndërsa të lartcekurve u mundëson përdorimin e telefonit pa orar dhe në çdo kohë.

Andaj, ngarkohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Të ngjashme