Autoritet lokale të Prishtinës kanë theksuar se aplikimi i Ligjit për ndërtimet pa leje do të bëhet pas afatit të paraparë ligjor për zbatim.
“Prishtina duhet ta nisë aplikimin e Ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje, i miratuar javën e kaluar nga Kuvendi, pas përgatitjeve teknike, siç është rifunksionalizimi i Sektorit të legalizimit”, thotë zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërkaq ai shton se meqë Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje që sapo është miratuar, ka një afat të caktuar deri në hyrjen e tij në fuqi, Komuna e Prishtinës është duke i bërë përgatitjet teknike paraprake për nisjen e zbatimit të tij, siç janë grumbullimi i informacioneve nga institucionet e ndryshme, organizimin punës dhe rifunksionalizimin e Sektorit të legalizimit për kryerjen e obligimeve dhe detyrave që dalin nga ky ligj.
I pyetur nëse do të ketë shpallje te re publike për regjistrimin e objekteve pa leje, apo Komuna do të shfrytëzojë si valide të dhënat e mbledhura nga procesi i para disa vjetëve, Tahiri ka thënë: “Të dhënat e mbledhura deri tashti do të jenë prapë të vlefshme, ndërsa futjen e të dhënave të reja në regjistrin e ndërtimeve pa leje do ta bëjë Komuna në përpikëri, siç specifikohet me ligj” .