Ekonomia Online
FUNDIT

Apoeli nuk ka telashe me Coronavirus, vjen sot në Kosovë me 21 lojtarë

Apoeli nuk ka telashe me Coronavirus, vjen sot në Kosovë me 21 lojtarë

Skuadra nga Qipro, APOEL Nicosia do të jetë e kompletuar për ndeshjen kundër Gjilanit. Te APOEL-i kanë njoftuar të martën mbrëma se të gjithë pjesëtarët e ekipit kanë rezultuar negativ në testet e bëra për koronavirus. Klubi qipriot ka paralajmëruar se në Kosovë do të udhëtojë i kompletuar për ta përmbushur misionin e tij, të […]

Skuadra nga Qipro, APOEL Nicosia do të jetë e kompletuar për ndeshjen kundër Gjilanit. Te APOEL-i kanë njoftuar të martën mbrëma se të gjithë pjesëtarët e ekipit kanë rezultuar negativ në testet e bëra për koronavirus.

Klubi qipriot ka paralajmëruar se në Kosovë do të udhëtojë i kompletuar për ta përmbushur misionin e tij, të eliminojë Gjilanin në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.

“Procesi diagnostikues i testeve për COVID-19 i kërkuar nga protokolli i UEFA-s dhe i realizuar përmes partnerit të veçantë të UEFA-s, SYNLAB në Qipro, ka përfunduar. Të gjitha rezultatet ishin negative”, thuhej në njoftimin e APOEL-it.

Pas marrjes së konfirmimit të rezultateve për koronavirus, APOEL Nicosia ka bërë të ditur se synon të vazhdojë aventurën në Ligën e Evropës. E për ta bërë një gjë të tillë, te APOEL-i e kanë parasysh se duhet tejkaluar nënkampionin e Kosovës, Gjilanin, që për herë të parë po paraqitet në garat evropiane.

Ndeshja mes Gjilanit dhe APOEL-it zhvillohet të enjten (19:00) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tek ekipi qipriot e kanë parasysh rëndësinë e duelit me Gjilanin dhe për këtë arsye kanë paralajmëruar se do të dalin në fushë me synimin për t’u kualifikuar në raundin e dytë eliminator të Ligës së Evropës.

“E kemi parasysh rëndësinë e ndeshjes me Gjilanin , së cilës do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Një gjë të tillë e dinë edhe futbollistët që presim të japin më të mirën nga vetja në këtë përballje”, ka thënë zëdhënësi i klubit, Nektarios Petevinos të martën për mediumet nga Qiproja. “Çështja është se atë që e kemi bërë në stërvitje pres ta dëshmojmë në fushë”.

APOEL-i të mërkurën (sot) zbarkon në Prishtinë, ku para ndeshjes do ta mbajë edhe një stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për në Kosovë do të udhëtojnë 21 lojtarë.

Në fakt, APOEL-i është klubi më i famshëm dhe më i suksesshëm në Qipro me 28 tituj kampioni të fituar, 21 kupa dhe 13 superkupa të këtij shteti. Skuadrës nga Qiproja nuk i kanë munguar sukseset as në kupat evropiane. APOEL-i është paraqitur katër herë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve (2009/10, 2011/12, 2014/15, 2017/18), kurse suksesin më të madh e pati arritur në edicionin 2009/10, kur u eliminua në çerekfinale të kësaj gare. Ndërkohë, ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ku është paraqitur në tri raste (2013/14, 2015/16, 2016/17), ku vetëm në një rast ka arritur deri në 1/8 e finales.

Gjilani ka siguruar pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, pasi në ndeshjen parakualifikuese e ka mposhtur ekipin nga San Marino, Tre Penne, me rezultatin 3:1.

Të ngjashme