Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, për vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit, si dhe për temat në të cilat duhet të fokusohet Qeveria e re.
Numri një i Bashkimit Evropian në vendin tonë, ambasadorja Apostolova mes tjerash pret që Qeveria dhe Kuvendi duhet të formohen së shpejti pasi që Kosova duhet të përqendrohet në reformat strukturale në mënyrë që ta përmirësojë jetën e popullit të saj. Shumë i rëndësishëm sipas saj është edhe rifillimi i dialogut me Serbinë.
Telegrafi: Ka kaluar më shumë se një muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe ende nuk është formuar qeveria dhe institucionet. Si i komentoni këto vonesa?
Nataliya Apostolova: Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë qenët transparente dhe të administruara mirë. Dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, e qetë, ndërkaq vëzhguesit e BE-së e kanë vlerësuar procesin si pozitiv. Sidoqoftë, një muaj pas zgjedhjeve, ne ende nuk e kemi certifikimin e rezultateve, KQZ është në proces të rinumërimit të 60% të qendrave të votimit dhe kjo mund të merr kohë disa javë.
Qeveria dhe Kuvendi duhet të formohen sipas procedurave të brendshme, por ky proces nuk duhet të vonohet pa nevojë. Shpresojmë se formimi i Qeverisë do të ndodh së shpejti, pasi që Kosova duhet të përqendrohet në reformat strukturale në mënyrë që ta përmirësojë jetën e popullit të saj.
Telegrafi: Cilat janë pritjet e BE-së në Kosovë për Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga Albin Kurti (nëse veç zgjidhet kryeministër)?
Nataliya Apostolova: Më 6 tetor, populli i Kosovës ka marrë vendim të qartë sa i përket lidershipit të vet. Për BE-në, është kruciale që Qeveria e re me shpejtësi ta fillojë punën që e pret. BE-ja do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës si gjithherë. Ne kemi qenë duke punuar me Kosovën për Agjendën Evropiane të Reformave në mënyrë që të bëjmë ndryshime të prekshme për njerëzit. Agjenda synon t’i shfrytëzojë mundësitë që ofrohen nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA).
Nevojitet një zhvillim më i fuqishëm ekonomik në mënyrë që të ofrohen më shumë vende të punës. Administrata publike duhet të bëhet më efikase, dhe gjithashtu duhet të ketë një fokus të fuqishëm në sundimin e ligjit për ta larguar korrupsionin. Kosova mes tjerash duhet të tregoj më shumë kujdes për ambientin dhe të ketë kualitet më të mirë të edukimit në mënyrë që të jetë konkurrent në tregun e BE-së. Shumë i rëndësishëm është edhe rifillimi i dialogut me Beogradin.
Telegrafi: A ka ndonjë projekt të Bashkimit Evropian që pret të finalizohet në Kuvendin e Kosovës ose me institucionet e reja pas zgjedhjeve?
Nataliya Apostolova: Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën me 100 milionë euro në vit. Ne i kemi mbi 300 projekte në Kosovë, duke i mbuluar të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe social, sundimin e ligjit, etj.
Ne kemi mbështetur edhe ngrohjen lokale për 85,000 shtëpi në Prishtinë, ku tani kanë ngrohje të klasit të parë dhe të padëmshme për ambientin. Të njëjtën gjë planifikojmë ta bëjmë edhe në Gjakovë për 40 për qind të popullsisë. Vitin e ardhshëm do ta fillojmë projektin për ndërrimin e filtrave të Kosovës B, ku pritet të ketë ndikim të madh pozitiv në shëndetin e njerëzve, si dhe në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës.
Gjithashtu ka edhe disa projekte të reja në përgatitje e sipër, siç është furnizimi me ujë të pijshëm në Kosovën lindore përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian. Për momentin veçse jemi duke e kryer studimin e fizibilitetit për këtë projekt.
Normalisht, ndihma e BE-së nuk duhet të merret si e garantuar. Nëse ndihmat tona financiare nuk mbështeten nga vullneti dhe veprimet politike, rezultatet do të mbesin të kufizuara. Ne presim që Qeveria e re të jetë më e vendosur dhe të merr më shumë përgjegjësi.
Telegrafi: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë duke e finalizuar marrëveshjen politike për Qeverinë e re. A duhet të përfshihet edhe Lista Serbe në këtë Qeveri gjithashtu?
Nataliya Apostolova: Korniza ligjore e Kushtetutës së Kosovës për formimin e Qeverisë është e qartë, duke përfshirë edhe zgjedhjen e ministrave serbë. Kjo praktikë ka ekzistuar deri më tani dhe pres që edhe Qeveria e re ta respektojë këtë.
Telegrafi: Si e vlerësoni mundësinë që do të jenë vetëm 12 ministri në Qeverinë e Kosovës – a janë këto reforma në administratë?
Nataliya Apostolova: Ka disa mënyra për organizimin e administratës dhe i përket Qeverisë së Kosovës ta vendos këtë. 12 ministri është një opsion. Me miratimin e ligjit të ri për funksionimin dhe organizimin e administratës publike dhe agjencive të pavarura në shkurt të vitit 2019, ekziston nevoja për t’i ri shikuar organizimet e brendshme të të gjitha ministrive, posa të adoptohet edhe legjislacioni relevant sekondar.
Nëse Qeveria e re merr vendim ta ulë numrin e ministrive, atëherë këto duhet të jenë në përputhje. Për Bashkimin Evropian ka rëndësi që të ketë institucione efikase që i përgjigjen nevojave të popullsisë.
Nevojiten institucione që e kanë kapacitetin për të implementuar reforma që janë pjesë e marrëveshjes së MSA-së dhe Agjendës Evropiane të Reformave, të cilat janë si udhërrëfyes për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e vet drejt Evropës.
Telegrafi: Ka shumë deklarata nga Qeveria aktuale se në fund të vitit do ta kemi datën për liberalizimin e vizave. Si e komentoni këtë?
Nataliya Apostolova: E kuptoj plotësisht pritjen e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Procesi është i gjatë dhe kompleks, ku të gjitha institucionet evropiane janë të përfshira në një fazë të caktuar. Komisioni Evropian veçse ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Parlamenti Evropian e ka mbështetur propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave në mars të vitit të kaluar. Propozimi tani është në pritje të Shteteve Anëtare në Këshillin e Bashkimit Evropian. Propozimi duhet të trajtohet objektivisht dhe me urgjencë. Është gjithashtu kruciale që Kosova të demonstrojë përpjekjet e vazhdueshme për sundimin e ligjit, migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin final të shteteve anëtare të BE-së.