Apostolova: Komisioni Evropian deri më tani në Kosovë ka investuar me 40 milionë euro

Prishtinë | 30 Gus 2018 | 13:12 | Nga

Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka vizituar Komunën e Gjilanit, ku është takuar me kryetarin Lutfi Haziri. Ajo gjatë takmimit në Gjilan tha se po ndjehet mirë që është prezente në këtë komunë për të qenë sa më afër sfidave dhe çështjeve të tjera që kanë të rinjtë e Gjilanit.

“Gjithmonë është kënaqësi të vij në këtë regjion, sepse kjo pjesë e Kosovës përfiton shumë nga bashkëpunimi ndërkufitar dhe kam kënaqësi të dëgjoj se ky bashkëpunim po shkon në mënyrën e duhur, por është edhe regjion i Kosovës ku jetesa e përbashkët është duke shkuar në drejtim të mbarë dhe për mua është me rëndësi të dëgjoj nga ju se çfarë probleme keni në çdo aspekt”, tha Apostolova.

“Unë kam vizituar komunën e Kamenicës dhe pres me padurim që të bëj inaugurimin në Novobërdë, e di që në këtë pjesë të Kosovës ka sfida të ndryshme, ka sfida ekonomike sikur gjithandej në Kosovë, kemi problem me krijim të vendeve të punës, çështje të rinisë, rinia nuk është e përfshirë shumë në aktivitete, por ju keni miqtë tuaj, Komisionin Evropian i cili është aty për të iu dalë në ndihmë me plane dhe programe të ndryshme në mënyrë që të përmirësojmë çështjet e aspekteve të ndryshme të jetesës në Kosovë”, ka thënë Apostolova.

Apostolova tregoi se Komisioni Evropian ka qenë bashkëpunues me Kosovën për një kohë të gjatë ku deri më tani kanë investuar rreth 40 milion euro me programe dhe projekte të ndryshme.

“Komisioni Evropian ka investuar deri më tani në Kosovë me 40 milionë euro në projekte dhe programe të ndryshme dhe shumica e komunave kanë përfituar në aspekt të projekteve të infrastrukturës stabile, psh zyrat komunale në disa komuna janë ndërtuar me fondet e Komisionit Evropian”, shtoi Apostolova.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka falënderuar Apostolovën për mundësitë që po i jep Komisioni Evropian përmes programeve për komunat dhe pushtetin lokal.

“Falënderoj ambasadoren për rolin saj në zhvillim dhe interesimin saj për komunat dhe pushtetin lokal, politikat lokale dhe mundësitë që Komisioni Evropian përmes programeve të u ofroj komunave, jo vetëm njohuri, por edhe mekanizëm më efikas për absorbimin e këtyre mundësive për zhvillim, zhvillim lokal ekonomik si mundësi e vetme dhe shpresë për njerëzit rinj të komunave tona dhe për njerëzit që presin mundësi punësimi dhe mundësi më të mira për jetë”, ka thënë Haziri.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme