Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja në vend pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, Apostolova theksoi se vendi ka nevojë për Qeveri dhe Kuvend funksional, pasi është koha që buxheti të miratohet, por edhe shumë projekte të tjera janë në proces e sipër.
“Shfrytëzoj rastin të theksoj se formimi i qeverisë është më rëndësi shumë të madhe. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë ta shohin një qeveri funksionale, formim të Kuvendit dhe Qeverisë, sepse qytetarët kanë nevojë ta shohin një formim normal të institucioneve”, tha shefja e Zyrës së BE-së.
Ajo i bëri komentet e pyetur nga EO, pasi mori pjesë në fillimin e punimeve të ngrohtores së re në Gjakovë.
“Edhe BE-ja është e interesuar ta shohë formimin e shpejt të institucioneve sepse kemi nevojë ta kemi një partner për procesin e reformave. Mos të harrojmë se edhe është koha që buxheti të miratohet, por edhe shumë projekte të tjera që janë në proces e sipër”.
Nga ana tjetër, Apostolova nuk ka dashur që të japë afate sa i përket heqjes së vizave për kosovarët, nëse ka mundësi që vendimi pozitiv të merret në fund të dhjetorit.
Sipas saj, vendim tash është i vendeve anëtare, duke shtuar se shpreson që së shpejti të merret vendim për këtë çështje.
“Komisioni Evropian dhe Shërbimi për veprim të jashtëm evropian në shumë raste kanë propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i kanë bërë thirrje Këshillit të BE-së apo vendeve anëtare që ta miratojnë kërkesën”.
“Ne e kemi bërë punën tonë dhe çështja është tani të vendet anëtare. Shpresoj që ata ta marrin në shqyrtim ketë dhe të marrin së shpejti në vendim. Ndonëse unë nuk mund të flas për afate kohore”, ka thënë Apostolova.