Aprovohet marrëveshja për pranim fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

Prishtinë | 24 Mar 2025 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Luan Miftarit, i akuzuar për kontrabandim me migrantë dhe ndihmë të personit tjetër për pastrim të parave.

Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rugova, tha se pas disa negociatave me palën mbrojtëse, kanë arritur marrëveshje lidhur me veprën penale “Kontrabandim me migrantë”. Ndërsa, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale për “Krim të organizuar” dhe “Pastrim të parave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Bina-Rugova propozoi që dënimi i drejtë do të ishte dënim me burgim prej 1 vit e 9 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

Prokurorja tha se konsiderojnë se dënimi i propozuar është i drejtë pasi që kanë konstatuar se ekzistojnë rrethana lehtësuese siç janë kalimi i kohës prej afërsisht 10 viteve, si dhe fakti se i akuzuari është person familjar dhe se nuk ka pasur vepra tjera penale.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Miftari, avokati Besmir Abdullahu, tha se përveç se negocimi i marrëveshjes është bërë në harmoni me Kodin e Procedurës Penale, po ashtu është bërë në pajtim me vullnetin e të mbrojturit të tij. Andaj, i propozoi Gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen.

Gjykatësi i rasti, Ngadhnjim Arrni tha se janë plotësuar kushtet ligjore lidhur me marrëveshjën, kështu që se e njëjta pranohet nga gjykata.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 shtator 2014, Luan Miftari ngarkohet se prej 26 nëntorit 2012 deri më 9 dhjetor 2013, vepër e kryer në vazhdimësi, në territorin e Kosovës, Serbisë, Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, ka kryer veprën penale ‘Kontrabandim me migrantë’, duke iu mundësuar personave të cilët nuk janë shtetas ose banorë të Kosovës të hyjnë në Kosovë ose personave të cilët nuk janë shtetas ose banorë të përhershëm të kalojnë kufirin pa iu përmbajtur kërkesave të nevojshme për hyrje të ligjshme në shtetet në fjalë pa iu përmbajtur kushteve të nevojshme ligjore.

Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 170 i Kodit Penal.

Gjithashtu, Miftari akuzohet edhe për ndihmë të personit tjetër në pastrim të parave, ku i njëjti nga 26 nëntori 2012  deri më 9 dhjetor 2013, duke ndihmuar të akuzuarin Sami Qitaku të kryejë veprën penale “Pastrim i parave” duke konvertuar, transferuar ose tentuar për të konvertuar apo transferuar pasurinë me qëllim të fshehjes së natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes apo pronësisë së pasurisë, duke qenë në dijeni se paratë apo mjetet monetare janë të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, Miftari po akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 32 i Ligji për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit në lidhje me nenin 25 par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, pjesë e kësaj aktakuze janë edhe të akuzuarit: Sami Qitaku, Attila Havasi, Zoltan Varga, Anita Horvathe-Szucs, Andras Janos Orosz, Milan Lakatos, Istvan Botos, Anton Leszkovich, Robert Riga, Eva Pozsonyine Szabo, Zsolt Nagy, Roland Szelecz, Polgar Szabolcs, Stefka Ognyanova, Nikoletta Nyiro, Viktoria Grozerne, Arsim Curri, Goran Ivic, Miro Palija, Jeton Dobrani, Salih Qitaku, Fatmir Kastrati, Sahit Sadriu dhe Mehdi Fetahu, të cilët akuzoheshin për veprat penale “Kontrabandim me migrantë” dhe “Pastrim i parave”. Pë këta të akuzuar, ka përfunduar procedura penale. 

Të ngjashme