Prishtinë-Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Goran Rakiq, i cili po akuzohet se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.
Pas aprovimit të kësaj marrëveshjes, prokurori i rastit Ali Ajdini tha se dënimi i rekomanduar për këtë rast është dënimi me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 3 muajve, i cili dënim nuk do te ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale dhe dënim me gjobë në shume prej 1 mije euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Rakiq avokati, Asdren Hoxha tha se mbeten në tërësi pranë marrëveshjes se arritur në zyrën e prokurorit të shtetit.
Edhe i akuzuari Rakiq tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës se dhënë në prokurori dhe marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga 2 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve së Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.
Aktakuza thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.
Me këto veprime, Rakiq po akuzohet se ka kryer veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi