Arabia Saudite dëbon ambasadorin kanadez

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 09:10 | Nga

Arabia Saudite ka dëbuar ambasadorin e Kandasë dhe ka pezulluar investimet dhe marrëveshjet e reja për tregti me këtë shtet, duke akuzuar Otavën për ndërhyrje në çështjet e brendshme.

“Mbretëria e Arabisë Saudite nuk do të pranojë ndërhyrje në çështjet e brendshme”, ka thënë ministria e Jashtme më 5 gusht, pasi Ambasada e Kanadasë në Riad ka bërë thirrje për lirimin e disa aktivistëve të burgosur.

Arabia Saudite do të “pezullojë të gjitha transaksionet e reja në tregti me Kanadanë, duke ruajtuar të drejtat e saj për të marrë vendime të mëtutjeshme”, është thënë në deklaratë.

Mbretëria i ka thënë dhënë kohë prej 24 orësh përfaqësuesit kanadez për t’u larguar nga shteti teksa ka kërkuar kthimin e ambasadorit të saj nga Kanadaja.

Zyra e Jashtme e Kanadasë ka publikuar një deklaratë më 3 gusht, në të cilën thuhej se “Kanadaja është thellësisht e shqetësuar për arrestimet e pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe aktivistëve për të drejtat e grave në Arabinë Saudite, duke përfshirë Samar Badawi.

“Ne i bëjmë thirrje Arabisë Saudite të lirojë ata menjëherë dhe të gjithë aktivistët tjerë paqësorë për të drejtat e njeriut”, është thënë ndër të tjera në deklaratë.

Marie-Pier Baril, zëdhënëse e ministres së Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland, ka thënë më 5 gusht, se Otava është e “shqetësuar thellësisht” pas veprimeve të sauditëve.

Vëzhguesi për të Drejtat e Njeriut (HRW), ka thënë më 1 gusht se autoritetet saudite kanë arrestuar dy aktiviste të mirënjohura për të drejtat e grave.

Ky Vëzhgues ka identifikuar gratë si Badawi dhe Nassima al-Sadah, të cilat për vite kanë bërë fushatë për të drejtat e grave, duke kërkuar mes tjerash edhe drejtimin e makinës.

Trashëgimtari i fronit, Princi saudit, Muhammad bin Salman, pati premtuar se do të hapë ekonominë e shtetit konservativ dhe se do të lehtësojë politikat kulturore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme