Arabia Saudite po rikthehet në Kupën e Botës në futboll për herë të parë pas 12 vjetëve, pasi mungoi që nga Botërori 2006 në Gjermani. Por po kthehet në një situatë që është shumë familjare për ata që e njohin lojën në shtetin e Gjirit Persik.
Juan Antonio Pizzi do të udhëheqë Arabinë Saudite në ndeshjen e parë të Grupit A në Botëror kundër Rusisë, por ishte një ekip tjetër i trajnerëve që i siguroi Arabisë Saudite kualifikimin në Botëror, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Ishte holandezi Bert van Marwijk ai që arriti të ndërtojë një përfaqësuese të fortë që i dha fund zhgënjimit të gjatë më tepër se një dekadë të Arabisë Saudite për ta kthyer në nivelet më të larta të futbollit aziatik.
Arabia Saudite me Van Marwijkun përfundoi e dyta në Grupin B në raundin e fundit kualifikues, prapa Japonisë dhe para Australisë.
Mirëpo me një shprehi për të angazhuar dhe shkarkuar trajnerët, Arabia Saudite do të paraqitet për herë të pestë në Kupën e Botës, ndërsa performancën më të mirë e pati në debutim në vitin 1994 në SHBA, kur arriti deri në 1/8 e finales.
Që nga paraqitja e fundit në Kupën e Botës, Arabia Saudite ka humbur vendin në mesin e elitës së kontinentit, duke u eliminuar në fazën e grupeve të Kupës së Azisë në vitet 2011 dhe 2015 dhe dështoi të kualifikohej në dy botërorët e fundit