Arabia Saudite, për herë të parë, do të ofrojë viza turistike

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Arabia Saudite do t’i hapë dyert për turistët ndërkombëtarë për herë të parë.

Të premten, autoritetet atje njoftuan se do të ofrojnë viza për 49 vende dhe se do t’i zbusin kodet e veshjes për vizitoret gra.

Ministri i turizmit, Ahmad al-Khateeb, e përshkroi këtë si një “moment historik” për vendin.

Vizat, deri më tash, janë dhënë kryesisht për pelegrinët, njerëzit e biznesit dhe punëtorët migrues.

Arabia Saudite gjithashtu shpreson të sigurojë investime të huaja në industrinë e turizmit.

Ajo synon që turizmi t’i rritet nga 3% në 10% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2030.

“Vizitorët do të befasohen nga thesaret që i kemi”, tha ministri al-Khateeb.

Jomyslimanët ende nuk do të lejohen të vizitojnë qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës dhe ndalimi i alkoolit do të mbetet në fuqi.

Më shumë detaje për skemën dhe vendet që kanë të drejtë për viza do të jepen më vonë.

Hapja e turizmit është prioritet në reformat e princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman, i cili synon të zvogëlojë varësinë e Arabisë Saudite nga nafta.

Të ngjashme