Arben Fetahu, kryetar i FBK-së edhe për 4 vite

Prishtinë | 18 Dhj 2020 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Arben Fetahu është rizgjedhur kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Fetahu është zgjedhur kryetar i FBK-së në vitin 2018, duke pasur Erolld Belegun, kurse do të vazhdojë mandatin edhe për katër vitet e ardhshme.  

Kështu u vendos në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të FBK-së. Nga 29 delegatë sa ishin prezentë të gjithë ishin për, dhe me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Fetahu do të vazhdojë punën në krye të basketbollit të Kosovës. Ai është pjesë e FBK-së që nga viti 2013.   

Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë 29 delegatë, derisa ka munguar Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për shkak të infektimit me Covid-19.  

Para fillimit të votimit, Fetahu, si kandidati i vetëm u është drejtuar delegatëve, duke folur për punën, që 2 vite e gjysmë, sa është kryetar i FBK-së, por edhe Programin për katër vitet e ardhshme.  

Fetahu u shpreh se, kanë realizuar projekte të ndryshme, si me gjenerata të reja, apo edhe me femrat, derisa një sukses i padiskutueshëm mbetet formimi i Ligës Unike.  

“Kemi formuar Përfaqësueset e reja të Kosovës duke marrë pjesë në garat ndërkombëtare, kemi organizuar dy Kampionate Evropiane në Prishtinë dhe kemi dy poste në organet zyrtare të FIBA-s. Rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Në kohë të pandemisë, kemi pasur shumë vështirësi, por kemi siguruar shumë sponsorë. Puna me gjeneratat e reja, femrat, klubet dhe shoqatave të basketbollit të Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Fetahu.   

Delegatëve me anë të një video mesazhi u është drejtuar edhe Andreas Zagklis, sekretar i Përgjithshëm i FIBA-s. Ai ka përshëndetur mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, duke konfirmuar përkrahjen nga FIBA. Ai shtoi se ky vit nuk ka qenë i lehtë për asnjë vend, megjithatë, janë mbajtur shumë gara të basketbollit.  

Zagklis lavdëroi Fetahun dhe Dushkun, për punën që kanë bërë në këtë kohë të pandemisë, duke qenë shembull edhe për shumë federata tjera. “FIBA është shumë e kënaqur me punën e FBK-së. FIBA do të qëndrojë pranë jush në zhvillimin e basketbollit të Kosovës”.  

Më pas janë zgjedhur edhe dy Nënkryetarët e FBK-së: Linda Shala dhe Artan Kurti. 

Gjithashtu janë zgjedhur edhe shtatë anëtarë të Bordit: Teuta Abdullahu, Arben Bislimi, Rrahman Përteshi, Artan Qerkini, Alban Ramën, Valton Bilalli, Egzon Fetiu.  

Ndërkohë në Këshillin Mbikqyrës janë zgjedhur: Fidan Hamiti, Shaqir Totaj dhe Artan Spahija.  

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme