Kryetari i FBK-së tregon pse i ndryshuan gjyqtarët e ndeshjes Prishtina-Trepça në moment të fundit

Prishtinë | 22 Pri 2023 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se vendosën t’i ndryshojnë gjyqtarët e huaj për ndeshjet e plejofit pasi ata kanë pasur takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK-së.

Fetahu ka thënë se edhe pse nuk patën dëshmi për ndonjë keqpërdorim potencial, “ndërruan gjyqtarët që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimin apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes”.

“Gjatë pasdites së ditës së enjte kemi marrë informatë që dy nga tre referët e deleguar për ndeshjen në fjalë kanë pasur një takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK. Me të konfirmuar informatën për këtë kontakt të paautorizuar, përkundër faktit që nuk kemi pasur kurrfarë dëshmie për ndonjë keqpërdorim potencial, FBK ka ndërruar nominimin, me qëllimin që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimit apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes dhe ruajtjes së integritetit të garës sonë elitare, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë i pandikuar nga faktorë negativë të jashtëm”, ka thënë Fetahu për Kohën.

Basketbolli kosovar u trondit gjatë ditës së sotme me akuza të shumta. Prishtina hodhi akuza të rënda se ndeshja e së dielës ndaj Trepçës ka tentuar të manipulohet, pasi thonë se posedojnë dëshmi teksa gjyqtarët e huaj të caktuar për ndeshjet e plejofit iu ofrohet ryshfet. Trepça ka mohuar përfshirjen në rast.

Më vonë reagoi edhe KB Peja, që pa ndonjë dëshmi, pretendoi se ndeshja e tretë me Yllin mund të ketë qenë e kurdisur, anipse në dy ndeshjet e para, klubi verdhezi triumfoi dhe ndeshjet u gjykuan nga gjyqtarët e huaj.

Kreu i FBK-së ka thënë se ka njoftuar Këshillim Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në sport dhe ia ka lënë në dorë organeve kompetente të zbardhet plotësisht rasti.

“Në emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës kam njoftuar zyrtarisht Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport për këtë ngjarje dhe kam kërkuar që rasti të zbardhet nga autoritetet e vendit, me qëllim të parandalimit të fenomeneve të tilla në të ardhmen, duke shprehur përkushtimin tonë për garantim integritetit të palëkundur të garave të saj dhe njoftim të të gjitha rasteve të njohura e potenciale të keqpërdorimeve, manipulimeve apo kurdisjeve potenciale tek organet kompetente, pa asnjë përjashtim dhe kufizim, duke qenë se veprimet e papërgjegjshme të individëve të caktuar mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme imazhin dhe renomenë e sportit të basketbollit në vendin tonë”, ka thënë ai.

Fetahu ka shtuar se në emër të FBK i ka njoftuar edhe kryetarët e katër ekipeve pjesëmarrëse të kësaj faze të garës, Prishtinës, Trepçës, Yllit dhe Pejës, për ngjarjen dhe për arsyet e ndërrimit të nominimit për ndeshjet në vijim, ndërsa nga organet e FBK-së, ai ka thënë se ka kërkuar vigjilencë të shtuar në ndeshjet në vijim për të garantuar kushte të barabarta të garimit në terrenet e basketbollit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme