Prokurori Arben Ismajli është zgjedhur zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ismajli për mandatin tre vjeçar mori 9 vota pro dhe një kundër, ndërsa zgjedhja e tij hyn në fuqi më 27 prill.
Ismajli është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës që nga 1 janari i vitit 2016. Ai më herët ishte prokuror në Departamentin e Përgjithshëm dhe atë të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Deri më tani në këtë post ka qenë Fidaim Ismajli të cilit nesër i skadon mandati, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu, anëtarët e KPK-së kanë themeluar Komisionin për Rishqyrtim Komisioni do të udhëhiqet prej Kryesuesit të KPK-së, Blerim Isufaj. E për anëtarë të këtij Komisioni janë caktuar zëvendës kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina dhe nga Prokuroria e Apelit, Xhevdet Bislimi. Ndërkaq, anëtarë rezervë të Komisionit për Rishqyrtim janë caktuar, Deshire Jusaj dhe Sabri Ademi. Po ashtu, KPK ka vendosur që drejtori i sekretariatit Lavdim Krasniqi, të caktohet Administrator i Rekrutimit dhe provimit.
Gjatë takimit të sotëm, para anëtarëve të KPK-së kanë raportuar për periudhën tre (3) mujore të këtij viti, zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Sabri Ademi, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku.
Po, sot kanë raportuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Uka, kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, raporte këto të cilat u aprovuan me disa vërejtje dhe sugjerime të dhëna nga anëtarët e KPK-së.
Sabri Ademi, zëvendëskryeprokurori i Gjykatës së Apelit tha se gjatë këtij viti janë zgjidhë 1.439 lëndë prej tyre 745 në departamentin e përgjithshëm, kurse në departamentin e krimeve të rënda 694 lëndë. “Gjatë këtij tre mujori janë kryer të gjitha lëndët, prokuroria e apelit nuk ka asnjë lëndë të pa kryer”, u shpreh Ademi. Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, tha se përveç punës së vetë duhet edhe të merren me lëndës që ju transferohen prej EULEX-it që nuk janë kompetencë e tyre.
Ndërsa për takimin e radhës kanë mbetur të raportojnë kryeprokurorët e prokurorive Themelore të Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit.