Arben Malaj bën me dije nisjen e një procesi gjyqësor në Strasburg për 28 deputetë të Partisë Socialiste.
Këta të fundit do të akuzohen për “shpifje publike” pasi dorëzuan në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
“Unë jam gati në çdo kohë të përballem me këtë propozim të mbushur plot me shpifje, edhe në seancë parlamentare. Por çfarëdo vendimi të marr Kuvendi i Shqipërisë, do të vazhdoj apo të ndërpresë procesin, unë siç kam premtuar edhe publikisht do të ndjek rrugën ligjore deri në Strasburg dhe do të ballafaqohem një nga një me të 28 firmëtarët me akuzën për shpifje publike”, shkruan ai në postimin në “Facebook”.
Malaj thotë se ndihet i trishtuar që në atë listë ka deputetë që janë në procesin e verifikimit të dekriminalizimit, mes të cilëve edhe Rrahamn Rraja.
“Kjo kërkesë për dëmshpërblim financiare nuk synon asnjë qindarkë nga taksapaguesit shqiptarë dhe as të siguroj disa të ardhura për vila të shtrenjta. Çdo qindarkë do të përdoret për edukimin ekonomik të publikut dhe në veçanti të deputetëve”, sqaron ai.