IKD: E përkrahim padinë e Avokatit të Popullit ndaj KQZ-së

Prishtinë | 28 Sht 2019 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar duke thënë se e mbështesin padinë e Avokatit të Popullit ndaj KQZ-së në lidhje me Ligjin për Barazi Gjinore.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – KQZ, i cili po vazhdon të shkelë garancitë kushtetuese dhe ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Reagimi i plotë:

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – KQZ, i cili po vazhdon të shkelë garancitë kushtetuese dhe ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Rreth shkeljes së parimeve të përfaqësimit të përcaktuara në  Ligjin për Barazi Gjinore nga KQZ dhe partitë politike, IKD ka reaguar publikisht përmes produkteve të saj,  qysh në zgjedhjet nacionale të qershorit 2017.  Si KQZ ashtu dhe partitë politike kanë injoruar thirrjet e IKD-së për zbatimin e obligimit ligjor, që përfaqësimi gjinor të promovohet në kuotën prej 50%, ashtu sicc përcaktohet në Ligjin për Barazi Gjinore.

Të premten, Avokati i Popullit rreth shqetësimeve të ngritura nga IKD qysh prej zgjedhjeve nacionale të vitit 2017, ka njoftuar se ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht në Departamentin e Përgjithshëm, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e KQZ-së të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Sipas Avokatit të Popullit, “KQZ-ja sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”.

IKD përkrahë fuqishëm rolin proaktiv të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe reagimin për ngritjen e padisë kundër KQZ-së, që ka për qëllim promovimin e vlerave dhe parimeve në trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

IKD poashtu përkrahë kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që ka parashtruar në padinë ndaj KQZ-së, si palë e paditur, e cila do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që sigurohet ligjshmëria e procesit të zgjedhjeve në Kosovë, dhe legjitimiteti i përfaqësuesve të popullit që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit 2019.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme