Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, me të marrë detyrën ka shkarkuar nga pozita Ardian Mehmetajn, u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri. Ky ishte emëruar me vendim të ish-ministrit Armend Zemaj.
Në vend të tij, Vitia e ka emëruar ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqin, të cilin e kishte shkarkuar Zemaj pas themelimit të qeverisë Hoti, ndërsa ishte i angazhuar në mandatin e parë të Vitisë.
Donat Lushaku i cili është jurist me profesion dhe punon në Zyrën Ligjore të Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehet se vendimi i parë i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia është i jashtëligjshëm.
Sipas tij, baza ligjore ku thirret Vitia për emërimin e Naim Bardiqit në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë është shfuqizuar më 13 korrik të vitit 2020.
Lushaku thotë se kjo dëshmohet nga fakti se Ligji për Shërbimin Civil nuk është më në fuqi por tani funksionon Ligji për Zyrtarët Publik.