“Arbëria” në kinematë italiane, stërnipi i Skënderbeut dhe shqiptarët e tjerë në kast

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Traditat dhe kultura e komunitet arbëresh në kinematë italiane nga 26 marsi. Konflikti i një vajze të re me të shkuarën është realizuar nga regjisorja arbëreshe, Francesca Olivieri

Sa e vështirë është të bësh llogaritë me prejardhjen tënde e ta pranosh atë? Çfarë është identiteti kulturor? Dhe si balancohet me dëshirën e shfaqjes së individualitetit dhe emancipimit? E di këtë Aida, e cila për një kohë të gjatë është ndjerë në siklet, apo e turpëruar për faktin se i përket një komuniteti të vogël, siç është ai i arbëreshëve, në Jug të Italisë. Për këtë arsye ajo ka emigruar në një tjetër qytet, ku ka mundur të gjejë ekuilibrat me veten,e një lloj qetësie që i ka lejuar të qëndrojë larg familjes dhe kufizimeve sociale të ambientit të mëparshëm.

Mirëpo ndarja e të atit nga jeta e detyroi që të kthehej në vendi ku, falë mbesës, rizbulon rrënjët e saj, origjinën. Është kjo historia e rrëfyer në filmin “Arbëria” të regjisores kalabreze Francesca Olivieri, e cila hulumton lidhjet e forta dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit arbëreshë, që ende mbahet në këmbë në disa lagje të vogla të Kalabrisë dhe Bazilikatës. Për të interpretuar rolin e vështirë të Aidës është përzgjedhur aktorja romane me origjinë kalabreze Caterina Misasi, mjaft e njohur për publikun edhe për pjesëmarrjen e saj në seriale si “Një mjek në familje”, “Njëqind vitrinat”, “Të jetosh”.

Ka punuar me regjisorë të një kalibri të lartë si Enzo Monteleone fitues i çmimit “Oscar”, Paolo Genovese, , Riçardo Donna, Tiziana Aristarco, dhe në krahë të Alessio Boni, Giulio Scarpati, Nino Frassica, Alessandro Gassman, Enrico Brignano, Terence Hill, Elena Sofia Riçi, Alessandra Mastronardi dhe Francesco Pannofino-s.

Frymë shqiptare në kast

Kastit të këtij filmi, i është bashkuar edhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, që vjen si bashkë-protagoniste. Tek “Arbëria” merr pjesë gjithashtu edhe një pasardhës i Skënderbeut, po ashtu arbëresh, Alessandro Castriota Scanderbeg, si dhe emra të tjerë të kinematografisë italiane si Carmelo Giordano, Anna Stratigò, Mario Scerbo, Fabio Pappacena dhe Antonio Andrisani.

Entuziazmin për shfaqjen e këtij filmi e ka rritur edhe prezenca e aktores së talentuar Denise Sapia. Për montazhin e filmit ka punuar Fabio Nunziata, bashkëpunëtor i hershëm i regjisorit Abel Ferrara, ndërsa muzika është kompozuar nga Luigi Porto, i cili së fundmi është angazhuar edhe në realizimin e kolonave zanore me mjeshtrin Angelo Badalamenti. Përmes syve të protagonistes, Aidës, Francesca Olivieri – familja e të cilës e ka prejardhjen në lagjen e vogël arbëreshe “Santa Caterina Albanese” – rrëfen procesin e vështirë të rizbulimit të rrënjëve, e mbi të gjitha andrimin e copave të grisura dhe kufizimeve të ngushta, pas tentativës rinore për t’i fshirë.

Filmi tregon jo vetëm peripecitë e protagonistes, por kujton edhe një komunitet të tërë, atë të arbëreshëve, që i ka dhënë jetë territorit të Arbërisë: atë enklavë joshëse të Shqipërisë në Itali – të krijuar gjatë lëvizjeve të shqiptarëve përgjatë shpërnguljeve të shekullit XV dhe të XVIII-të. Është një konflikt mes traditës dhe modernitetit, ai i kaluar nga protagonistja e filmit përreth kësaj zone gjeografike sentimentale, Arbërisë, që në këtë film rizbulohet dhe rivlerësohet.

Protagonistja

“Arbëria” është një histori nostalgjie, konflikti me të shkuarën personale, me rrënjët. Aida Greco, heroina e këtij filmi është një grua kurajoze dhe melankonike. Si krijuese në sektorin e modës, ajo do të largohet nga vendi ku është rritur dhe pasi ka udhëtuar gjatë ndalet në një qytet të Evropës Qendrore, ku edhe hap një atelier. Pas vdekjes së babait ajo rikthehet në vendin e origjinës, që gjendet në malet e Pollino-s, në Kalabri. Gjatë kësaj periudhe rizbulon gjuhën mëmë dhe prejardhjen e saj si pjesë e një minoriteti etnik, atë italo-shqiptar.

Edhe regjisorja me origjinë shqiptare

Francesca Olivieri, regjisore dhe skenariste me emër, ashtu si protagonistja e filmit të saj është me origjinë arbëreshe. E lindur në Piemonte, ajo është diplomuar në Bolonja në Disiplina Semiotike dhe njëkohësisht ka punuar si ndihmës regjisore. Ka përfunduar shkollën e regjisë për të vijuar me atë si skenariste. Aktualisht ajo jeton mes Francës dhe Italisë, duke punuar me produksione të njohura televizive dhe kinematografike.

Aktorja që po befason botën e kinemasë, si protagoniste tek “Arbëria”

Aktorja e re Denise Sapia vijon të befasojë botën e kinemasë. Pas rolit të saj të fundit si protagoniste në një thriller eksperimental episodik “Një falje e vështirë” ( “Un difficile perdono”) e regjisorit Salvo Bonaffini, ajo është në qendër të historisë “Arbëria”. Filmi që ka në fokus traditat dhe kulturën e komunitetit italo-shqiptar, e vendos aktoren e re në një rol të pazakontë dhe kompleks, pasi i duhet të përballet me sfida të reja. Sfida, që siç regjisorja është shprehur për mediet italiane, aktorja i ka kapërcyer me sukses.

Produksioni

Filmi është prodhuar nga “Open Fields Productions”, në bashkëpunim me “Lucana Film Commission” dhe “Calabria Film Commission”, me mbështetjen e MiBAC dhe SIAE, në kuadër të iniciativës “Sillumina”, me mbështetjen e BÇ Mediocrati dhe Echoes. Shpërndarja e filmit “Arbëria” bërht nga “LAGO Film”, një realitet i ri i kinematografisë shqiptare. Premiera do të shfaqet të martën që vjen në orën 20:30 në kinemanë “Garden di Rende”. Do të shfaqet jo vetëm në Itali por edhe në vende të tjera. Filmi është realizuar edhe falë mbështetjes së shumë komunave që janë joshur nga historia si Vaçarizzo Albanese, Oriolo, Acquaformosa, Spezzano Albanese, Plataci, Santa Caterina Albanese, Mongrassano, Caraffa di Catanzaro, Mormanno, San Cosmo Albanese, Cerzeto, San Giorgio Albanese dhe San Demetrio Corone/ Anila Dedaj, Shekulli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme