Strehimi i afganëve në Kosovë mund të jetë sfidë për buxhetin e vendit, nëse nuk marrin ndihmë nga ShBA-ja, i ka thënë Ekonomia Online, njohësi i rrethanave juridike në vend Anton Nrecaj.
Ai tutje shton se një rrezik tjetër që Kosova duhet ta ketë parasysh është edhe mundësia e ndonjë sulmi talebane si pasojë e ndihmës së ofruar.
“Unë e shoh nga dy këndvështrime, e para aspekti humanitar dhe detyrimet ligjore gjithmonë në bazë kapaciteteve që kemi si vend. Pjesa tjetër është aspekti politik dhe moral që kemi ndaj Afganistanit, pasi konsiderohet si një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën. Ne kemi obligim e që ndoshta mund të kemi problem edhe buxhetin, por duke shpresuar që kemi mbështetjen e ShBA-ve për strehimin e përkohshëm të tyre”.
“Ajo çfarë po ndodh në Afganistan, mund të konsiderohet edhe si një shqetësim për tërheqje të njohjeve, por edhe cak i sulmeve të ndryshme talebane, por që fatmirësisht kemi policinë e Kosovës, dhe nuk mund ta shohim si rrezik potencial nga çdo lloj sulmi”, theksoi tutje ai.
Nrecaj shton se një pjesë shumë e rëndësishme në këtë proces është edhe verifikimi i atyre personave, e që problem është mosqasja në dokumente dhe jo kapacitetet e Kosovës për një verifikim të tillë.
“Në kuadër të këtij procesi të pranimit ka qenë edhe pjesa e verifikimit të listave dhe të këtyre personave që i ka dorëzuar ShBA, dhe Kosova është një vend tranzit për këta persona dhe duhet cekur që janë pak vende që kanë pranuar t’i dalin në ndihmë, andaj mendoj që nuk shoh ndonjë rrezik edhe tek verifikimi i tyre, por edhe nuk kemi kapacitetet në verifikimin e tyre, pasi nuk kemi qasje në dokumentet e tyre”, përfundoi Nrecaj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se një muaj që janë duke u përgatitur për strehimin e një grupi të shtetasve nga Afganistani pas konfliktit në këtë shtet, raporton EO.
Këtë përgatitje Kurti tha se janë duke e bërë në koordinim të plotë me ShBA-në, duke shtuar se këtë punë e kanë bë pa zhurmë e me shumë seriozitet.
Qeveria e Kosovës mbrëmë ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.