Arifi: Absurde dhe naivitet ta refuzosh Ramën e ta pranosh Mickoskin, nuk u prekën temat “e rëndësishme”

Prishtinë | 18 Nën 2024 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Dritëro Arifi, ka thënë për Ekonomia Online se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, është pozitiv, mirëpo është dashur të diskutohen tema më të rëndësishme – si ndryshimet kushtetuese, burgosja e ish-ushtarëve të UÇK-së e incidenti i presidentes në Aeroportin e Shkupit.

Arifi e ka quajtur absurde që kryeministri Kurti po e pranon homologun e tij maqedonas e po e refuzon atë të Shqipërisë, Edi Ramën.

“Çdo takim që e bënë shteti i Kosovës me një shtet të fqinjë është pozitive që mund të arrihet të thellohet bashkëpunimi bilateral në shumë fusha e sektorë e cila mund të jetë benefite për të dyja kombet. Mirëpo kanë mbetur shumë pyetje pa përgjigje që Qeveria e Kosovës nuk po arrin të kuptojë që diplomacia nuk është vetëm të nënshkruhet dy protokolle. Por qeveritë kur të takohet zgjidhin çështje shumë më madhore të cilat do të duhet të dinim se ku qëndrojnë çështjet e sidomos me pjesët e kombit me Maqedoninë që ende nuk e dimë se çfarë do të ndodh me gjuhën shqipe”.

“Çështja më madhore që po pritet të ndodh është ndryshimet kushtetuese sepse ajo është një kusht që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet me BE-në. Këtë nuk e dimë se çka kanë biseduar dhe nuk e dimë se çka do të bëhet me ish ushtarët e UCK-së, a do të burgosen a do të rritet integrimi i shqiptarëve në administratën publike, që do të ishte pika më pozitive që shteti i Maqedonisë të integrojë të gjitha komunitet që jetojnë ato”, ka thënë Arifi, teksa ka pritur edhe një përgjigje nga incidenti që i ndodhi presidentes, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.

“Pika më fragjike që do të duhej kryeministri të ishte më kërkues është që nuk e dimë incidentin me presidenten Osmani në aeroportin e Shkupit, pra ka shumë paqartësi mund të duket që është një mbledhje që i ofron shtetet po ndodhin disa gjëra që mund të ndikojnë në të ardhmen e afërt dhe për të përkeqësuar edhe më keq”, u shpreh Arifi.

Politologu Arifi ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka shpeshtuar takimet me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, ndërsa ka refuzuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

“Mund të jenë edhe më të afërt por krahasuar me liderët e tjerë ka më shumë takime sidomos viteve të fundit. Ta refuzojnë kryeministrin shqiptarë që vjen tek dera e shtëpisë dhe ta pranosh një partner pa kërkesa specifike është një absurditet dhe amatorizëm por edhe një naivitet i qëllimshëm për të keq. Nuk po e kuptoj se çka dëshiron të arrijë, bazamenti i një partneriteti nuk mbulohet dhe futur ndër tepihë, ato do të pëlcasin dhe do të dëmtojnë raportet se kur kanë qenë më herët”, deklaroi Arifi.

Ndërsa marrëveshjet e nënshkruara nga mbledhja e dy qeverive, Arifi i quan të mirëseardhura.

“E mira është se janë nënshkruar disa protokolle për kalime kufitare, me pika të përbashkëta por kjo është nivel i ulët për tu krenuar por ndoshta kjo na jep një pasqyrë tjetër pasi që Qeveria e Kosovës është e izoluar sidomos nga komuniteti perëndimor, për ta mbuluar gjithë këtë izolim e sanksione po mundohet ta ndërtojnë një narracion se si Qeveri po lëvizim dhe po kemi komunikim edhe me botën e jashtme në thonjëza”, u shpreh ai.

Të ngjashme