Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dje pas takimit me ministrat e BE-së, kërkoi edhe një herë që Kosova ta heqë taksën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që ajo të ftojë të nesërmen një takim Thaçi – Vuçiq. Në një përgjigje për Express shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi, ka thënë se Mogherini është rreshtuar kah Beogradi dhe me këtë qëndrim ajo është duke e kushtëzuar dialogun
Tha se do të mbyllej për javë apo muaj me Thaçin e Vuçiqin vetëm për arritje të një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, por duke kërkuar që të hiqet masa ndaj produkteve serbe e boshnjake fillimisht.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, bëri të qartë se në të kundërtën bisedimet mes dy vendeve nuk do të vazhdojnë.
Por, ky qëndrim i Bashkimit Evropian nuk po e tërheq Qeverinë e udhëhequr nga vendimi për taksën, ani pse kjo e fundit po e kushtëzon me vazhdim të fazës së fundit të dialogut.
Ky qëndrim i BE-së nga Qeveria e Kosovës po shihet si precedent për kushtëzim të dialogut, duke thënë se taksa nuk ka të bëjë fare me bisedimet.
Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi, në një përgjigje për Express është deklaruar se me rreshtimin e Mogherinit prapa kërkesës së njërës palë, asaj i ka humbur kredibiliteti.
“Qëndrimi i Mogherinit është një precedent i keq i kushtëzimit të dialogut me procese që nuk kanë të bëjnë fare me dialog. Rreshtimi i pastër i Mogherinit prapa kërkesës së njërës palë i humb edhe më shumë kredibilitetin znj. Mogherini”, deklaroi ai.
Arifi ka shtuar se taksa dhe politikat e saj nuk janë çështje që kanë të bëjnë me dialogun, ndërkaq, ka ftuar shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, që t’i mundësojë zhvillim të një faze të re të dialogut.
“Qeveria e Kosovës nuk e sheh taksën dhe politikën e saj si çështje që kanë të bëjnë me dialogun. Përkundrazi ne ftojmë znj.Mogherini që si lehtësuese të mundësojë zhvillim të një faze të re të dialogut me shkresë se kjo do të sjellë te një marrëveshje ligjërisht obligative”, përfundoi Arifi.
Mogherini qëndrimin e saj për bisedimet Kosovë-Serbi e përsëriti dje gjatë ditës, derisa tha se do të organizojë takim në mes të presidenteve të vendeve, atëherë kur do të krijohen kushtet.
Se nuk do të heqin dorë nga taksa e përsëriti dje nga vendlindja e tij Gllogjani edhe kryeministri i vendit.
Haradinaj u shpreh se për sa kohë që do të udhëheqë në Qeveri, masa për taksën nuk do të hiqet.
Kjo ka sjellë edhe acarimet e para në mes të liderëve të koalicionit, derisa Veseli po tregohet i zëshëm që taksa të pezullohet, e njësoj u shpreh edhe në seancën solemne të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Përderisa tashmë Haradinaj ka BE-në kundër dhe partnerin kryesor të koalicionit, kohë më parë ai mori edhe një letër nga SHBA-ja, nga ku u cek se në rast se masa do të vazhdoj rrezikohet prishje e marrëdhënieve me Amerikën.