Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka folur mbi raportin e organizatës Freedom House i cili tregon se Kosova ka shënuar rënie të nivelit të demokracisë, 3.14 në krahasim me vitin 2019 kur ishte 3.18.
Arifi ka treguar arsyet që kanë ndikuar në këtë, ndërsa më të theksuar përmendi krizat politike në vend.
“Për Kosovën janë disa arsye, kjo rënie është kryesisht për shkak të krizës së thellë politike në vend. Kjo krizë nuk është vetëm për vitin paraprak, por që nga shpallja e pavarësisë Kosova vazhdimisht përballet me kriza të thella politike”, ka thënë ajo në Express Intervistë.
Ndërrimi i shpejtë i qeverive gjatë vitit të kaluar, Arifi ka thënë se ka ndikuar në rënien e demokracisë, ashtu si mungesa e llogaridhënies e transparencës institucionale.
“Arsyeja kryesore që ka rënie në nivelin e demokracisë në Kosovë është mungesa e llogaridhënies institucionale, mungesa e transparencës por edhe krizat e vazhdueshme politike. Në 2020 qytetarët janë përballur me tri qeveri të ndryshme, një gjë e tillë ka krijuar pasiguri tek qytetarët dhe shoqëria është polarizuar. Këto kanë ndikuar në vlerësim negativ”, ka shtuar ajo.
Vlerësimet për korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta. Arifi ka thënë se për vite, Kosova ka stagnuar në parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Indikatori i korrupsionit vazhdon të jetë indikatori i vlerësuar më së keqi. Kosova ka arritur të shënojë progres në disa indikatorë ndër vite por sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar stagnon. Për pesë vite radhazi kemi notë të njëjtë, 2.50 sa i përket korrupsionit. Freedom House ka vlerësuar se Kosova nuk ka shënuar progres”, ka thënë ajo.
Njëjtë qëndron edhe sektori i drejtësisë e pavarësua e gjyqësorit. Arifi ka thënë se ky sektor vazhdon të mbetet i ndikuar nga politika.
“Sa i përket sundimit të ligjit, raporti konstaton se sektori i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbetet i politizuar, i ndikuar nga politika dhe qeveritë nuk kanë arritur të krijojnë mekanizma që do të mund të kishin ndikim në përmirësimin e sundimit të ligjit. Stabiliteti politik sigurisht se ndikon në këtë. Në Kosovë partive politike u ka munguar vazhdimisht një vizion i shtetndërtimit, më shumë janë krijuar qeveri në bazë të interesave politike apo mbajtjes së pushtetit me çdo kusht e jo të krijimit të një qëndrueshmërie institucionale”, ka thënë Arifi.
Më mirë qëndron liria e shprehjes dhe mediave. Sipas Arifit, Kosova qëndron më mirë në rajon në krahasim me shtetet e tjera sa i përket mediave të pavarura. Ajo ka thënë se në Kosovë ka pluralizëm dhe media të pavarura.