Profesori universitar, Dritëro Arifi ka thënë se qëkur është publikuar agjenda e kryeministrit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ditur që nuk është vizitë serioze.
Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se nëse e shohim vizitën e Kurtit nga këndvështrimi politik nuk është arritur maksimumi.
“Vizitën e kryeministrit duhet me pa nga disa këndvështrime. Nëse e shohim nga këndvështrimi politik nuk është arritur maksimumi i vizitës. Pra nëse nisemi prej pikës referuese është agjenda, pra prej aty e kemi vërejtur që nuk është serioze. Që nga dita kur është publikuar agjenda e kryeministrit për SHBA është ditur që nuk është vizitë serioze”, ka deklaruar ai.
Sipas Arifit, në aspektin ekonomik, vizita e Kurtit me biznese në Amerikë është “nonsense”.
“Niveli politik mendoj që nuk e ka arritur atë që është dashur. Në aspektin ekonomik është qesharake sepse në Amerikë, biznesi punon në parimin e interesit dhe jo në parimin e pëlqyeshmërisë. Aq është nonsens, është e pakuptimtë nëse e shohim nga disa perspektiva. Çfarë llogarie ka Microsoft të bëjë biznes në Kosovë? Këtë nuk di askush të thotë sepse nuk ka studim për këtë punë. Ky vetëm ka bërë takime dhe ka shkuar të prezantoj Kosovën në njëfarë storie suksesi”, ka thënë ai.
Profesori Arifi thotë se kryeministri i Kosovës ka problem me departamentin e shtetit të Amerikës.
“Nëse e shohim gjithë këto deminsione të vizitës, mund të themi që është një vizitë pozitive por jashtëzakonisht e zbehtë politikisht. Kjo po tregon se këtu ka një problem fundamental mes kryeministrit të Kosovës me state departament. Ka diçka që ne nuk e dimë publikisht, por ka diçka që nuk po funksionon në komunikimin zyrtar”, përfundoi Arifi.