Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për Ekonomia Online se në takimin e së martës në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, temë diskutimi do të jetë edhe dinari, ndonëse të kundërtën e thanë krerët institucionalë.
Këto veprime, Arifi i sheh si pozitive për faktin se Qeveria tashmë po merr përgjegjësi për vendimet.
“Është ajo siç është paraparë edhe më herët që nga Escobar se Kosova ka pranuar në njëfarë mënyre që dinari të jetë pjesë e dialogut edhe pse Qeveria në fillim ka hezituar apo ka thënë është diçka e panegociueshme tash është bërë e negociueshme por sidoqoftë është pozitive që Qeveria po merr përgjegjësi për vendimet që i ka marrë ato kanë konsekuencat kjo është se tash dinari diskutohet në Bruksel me palën e BE-së dhe me palën serbe”, thotë Arifi për EO.
Më tej, profesori komentoi deklaratat e të dërguarit amerikan, Gabriel Escobar i cili në vizitën e tij në Kosovë, tha se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar propozimet për dinarin serb dhe nuk ka dhënë ndonjë garanci se do të ec përpara me draft-dtatutin për Asociacionin.
Arifi tha se Qeveria duhet t’i dëgjojë këshillat e partnerëve dhe për dinarin të gjejë një zgjidhje të përkohshme sepse mbyllja e kësaj çështje sipas profesorit është çështje kohe.
“Fillimisht shpresojmë se Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë këshillat e partnerëve tanë që të paktën për dinarin ta gjejë një zgjidhje të përkohshme sepse ajo dihet që kjo çështje do të mbyllet vetëm çështje e kohës është pra për tre muaj nuk besoj se zhduket as Kosova as askush nuk besoj se intenca e Qeverisë është me e dëmtu ndonjë komunitet në këtë rast serb por më shumë ndoshta e kanë bërë për nga ngutia sesa nga analiza e ftohtë racionale kështu që po besoj se te dinari do të gjendet një zgjidhje ndoshta afat shkurtër por do të gjendet”, tha ai.
Arifi thekson se ka shumë paqartësi rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thotë se nuk dihet se çka fiton Kosova nëse e pranon këtë kusht.
“Besoj se këtu ka ngecje të mëdha sepse nuk ka qartësim nga asnjëra palë, p.sh nga pala kosovare nuk është e sigurt se nëse edhe e pranon Asociacionin nuk din se çka fiton konkretisht këtë nuk po e din askush edhe kjo ndoshta është ai hendikepi i Qeverisë së Kosovës që po heziton me ec tutje me këtë çështje dhe duke ditur historinë e Vetëvendosjes edhe kjo është një peshë shumë e madhe për kryeministrin”, thotë Arifi.