Arifi thotë se sot mund të ketë dakordim në Ohër

Prishtinë | 18 Mar 2023 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Politologu, Dritëro Arifi, vlerësoi se në takimin e sotëm në Ohër, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, mund të ketë dakordim mes të dyja palëve.

Këtë deklaratë Arifi e tha në një diskutim për përballjen e sotme në Ohër, të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin, Aleksandar Vuçiq, për finalizimin e planit evropian.

“Do të ketë dakordim, sepse mandej grupet punuese do të punojnë për t’i finalizuar detajet e vogla. Nëse ka një jo të madhe, atëherë do të komplikohet tërë situata, pavarësisht se çka ndodhë pas një jave. Kësaj radhe duhet të jenë të kujdesshme të dyja palët, të mos provokojnë. Nëse palët pajtohen për planin e zbatimit, atëherë gjërat janë të prekshme dhe të matshme. Me këtë plan, në një farë mënyre relaksohen raportet, nuk përfundon gjithçka”, potencoi Arifi në Tëvë1.

Njëherit, Arifi theksoi se nëse fokusohemi tek e ardhmja, atëherë Kosova absolutisht del fituese në çdo element të mundshëm.

“Në këtë mes, plani evropian është i balancuar. Në shikim të parë, duket që Serbia po privilegjohet më shumë, por nëse shohim më gjerë, del që plani është shumë mirë i realizuar, që asnjëra palë të mos dëmtohet”, shtoi tutje Arifi.

Të ngjashme