Arineta Mula dhe “Balkan Natural Adventure” kanë lidhur partneritet në mënyrë që së bashku të promovojnë bjeshkët e Ballkanit dhe pjesëmarrjen e femrave në profesionin e guidës në Kosovë, gjatë vitit 2018 dhe tutje.
Arineta Mula ka fituar famë botërore duke qenë femra e parë e një ekipi kosovar që ka ngjitur Mont Everestin dhe personi i parë nga rajoni që ka ngjitur majën e famshme Ama Dablam. Së fundi, aj ka ngjitur edhe majën Eiger dhe Matterhorn në Zvicër.
Në një komuniktë të “Balkan Natural Adventure” thuhet se ata janë një kompani e re, por me një përkushtim të madh në cilësi dhe promovim. “Kompania tashmë ka pasur klientë prestixhioz si gazetarët e The Financial Times, përderisa ka shërbyer vizitorë nga e tërë bota duke përshirë Singapurin e Taiwanin ne Azi, Argjentinën në Amerikën e Jugut dhe vizitorë të tjerë gati nga secili vend i Evropës”.
Në bazë të këtij partneriteti Arineta Mula do të udhëheqë një grup turistësh ndërkombëtarë në shtegun Peaks of the Balkans të adoptuar sipas Arinetës, ndërsa Balkan Natural Adventure do të organizojë tërë çështjet operative rreth kësaj oferte.
“Ne jemi shumë të lumtur dhe të nderuar që mundemi të ofrojmë shërbime për Arinetën dhe një grup të udhqëhequr nga ajo. Si gjithmonë të gjitha çështjet operative do të zbatohen në mënyrë të shkëlqyeshme”, ka thënë Nol Krasniqi, drejtor për Operacione në “Balkan Natural Adventure”.
“Për mua është mirë që në përkrahje të kam një ekip siç është ai i Balkan Natural Adventure. Janë njerëz të përkushtuar në punën që e bëjnë dhe dhe shumë të përshtatshëm që të punohet me ta”, ka thënë Arineta.
Udhëtimi do të fillojë më 15 korrik dhe do të zgjasë 10 ditë.