Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka punuar shumë në fushën e integrimeve.
Ai duke komentuar raportin e Këshillit të Ministrave të BE-së dhe mungesën e vendimit me anë të së cilit qytetarët e Kosovës do të lëviznin në zonën Schengen, ka thënë se ata janë mashtruar rreth këtij procesi.
“Qeveria e Kosovës ka bërë deklarime duke rritur ambiciet dhe pritjet e qytetarëve, duke iu thënë se ‘këtë muaj ndodh liberalizimi, apo atë muaj’. Kjo është e papërgjegjshme”, ka thënë Zemaj, njofton Klan Kosova.
“Pritjet kanë qenë reale se do ta kemi liberalizimin e vizave. Gjermania i ka dhënë përkrahje, por Franca dhe Holanda e kanë pasur toptemë luftimin e korrupsionit administrativ – që është rritja e ministrive, numri i zëvendësministrave dhe të tjera”, ka thënë Zemaj, njofton Klan Kosova.
“Shtetet tjera pro Kosovës kanë hezituar të bëjnë hapa më të shpejtë. Me këtë dokument kam prit se do të jetë më i favorshëm për Kosovën. Tash presidencën e merr Finlanda dhe pritet të punohet qe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm. Qeveria e Kosovës e ka pasë obligim që të reflektojë. Ministrat e kanë luajtur rolin e njëri-tjetrit”.
Zemaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në mos liberalizimin e vizave për Kosovën kanë ndikuar edhe qeverisja jo e mirë dhe mosluftimi i korrupsionit.