Rreziku për shtim të numrit të vrasjeve dhe të ngjarjeve të tjera kriminale në Kosovë është evident për shkak të posedimit të madh të armëve ilegale nga qytetarët.
Policia e Kosovës përmes aktiviteteve operative-hetimore, gjatë nëntëmujorit (janar-shtator) të këtij viti ka konfiskuar 834 armë të llojeve të ndryshme.
Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë konfiskuar 903 armë, tregon PK-ja për AktivPress.
Por ku përfundojnë këto armë pasi të konfiskohen?
“Armët e konfiskuara trajtohen në bazë të procedurave ligjore dhe me të përfunduar ato, me urdhër të organeve të drejtësisë ato shkatërrohen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Jo rrallë herë këto armë janë keqpërdorur nga individ të ndryshëm për kryerjen e veprave kriminale.
Sipas policisë gjatë këtij viti janë evidentuar 22 raste të vrasjeve.
Muajin e kaluar, në fshatin Sharban të Prishtinës një 60 vjeçar humbi jetën dhe dy persona të tjerë rreth të tridhjetave mbetën të plagosur pasi disa individ shkrepën me armë në drejtim të tyre. Më vonë u bë e ditur se incidenti kishte ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje rreth pronës.
Po ashtu, shqetësuese mbetet fakti se këto armë mund të përfundojnë në duart e fëmijëve, që mund të sjellin ndonjë tragjedi, siç ishte rasti i 15 shtatorit në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku një i mitur u vra me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij, shkruan AktivPress.
Për këtë vrasje, policia ka arrestuar dy të mitur, një 16 vjeçar dhe një 15 vjeçare.
Gjithashtu, në raportin 24-orësh të PK-së shpesh hasim edhe në përdorimin e armëve në ahengjet familjare, edhe pse për këtë aspekt janë organizuar shumë fushata për vetëdijesimin e qytetarëve me moto “Festo me zemër jo me armë”.
Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale, të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve.
Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë.
Kosova në vitin 2010 ka miratuar Ligjin për armët. Ky ligj është miratuar konform konventave të ndryshme Evropiane rreth përdorimit të armëve të zjarrit.
Mirëpo, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është për një ligj krejt tjetër.
Ai parapëlqen ligjin amerikan të posedimit të armëve.
I pyetur ditë më parë për një nga këshilltarët e tij të cilit ia kishin gjetur një armë pa leje, ai ka thënë se nuk ka ushtar të UÇK-së që nuk mbanë armë të tilla.
“Nuk ka ushtar të UÇK-së që nuk ka allti pa leje. Për mua nuk përbën ndonjë problem, është diçka normale. E kisha bë ligjin si në Amerikë, nëse të gjen pa allti në shokë, me të dënu. Unë i kam disa pikëpamje të miat”, ka thënë ai në TV Dukagjini.
Po të jetësohej në praktikë që çdo ish- ushtar ta mbante një armë, atëherë 60 mijë veteranë të vërtetë e falsifikator do të ishin sot të armatosur.