KMDLNJ: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë si pengje politike

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar për procesin e gjykimit maratonik në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së duke e quajtur “GJYKIMI MARATONIK NË HAGË, TË DHUNUAR NGA GJYKATA – TË PAMBROJTUR NGA SHTETI!”.

Përmes një komunikate për media KMDLNJ thonë se po bëhen katër vite që kur udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe shefi i GP të VV –së, Rexhep Selimi po mbahen të paraburgosur si pengje politike në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Raciste në Hagë, pa një datë dhe vit të caktuar se kur do të përfundojë gjykimi.

“Këtë e tha në një intervistë edhe Ekaterina Trandafilova, kryetare e kësaj Gjykate që i lutet Zotit që kjo të zgjasë sa më shumë për shkak të përfitimeve marramendëse materiale për te dhe shpurën e burokratëve endacakë që shkojnë në çdo vend ku ka pasur krizë për ta vazhduar vallen e zhvatjeve në kurriz të viktimave dhe të të akuzuarve. Deri më tani janë dëgjuar 44 dëshmitarë të Prokurorisë Speciale Raciste, pjesa më e madhe e tyre janë serbë të aparatit policor dhe ushtarak të Serbisë apo edhe shqiptarë që janë rekrutuar dhe trajnuar nga sigurimi serb për të dëshmuar kundër të akuzuarve e që tani janë duke u gjykuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ-së këta dëshmitarë, tashmë të “mbrojtur“ kanë dëshmuar edhe në Kosovë sikur që kanë pasur paraqitje të rregullta publike. Proceset para GJSR janë kryesisht të mbyllura me ç’rast shkulet rëndë parimi i publicitetit, sa i rëndësishëm aq edhe i nevojshëm që përmes një gjykimi transparent të bindet dhe sigurohet publiku se dëshmitë janë të sakta pas së cilave edhe vendimi gjyqësor do të ishte shumë më i besueshëm.

“Ekaterina Trandafilova, një kuadër i Todor Zhivkovit, në jo pak raste ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar se të akuzuarit mund të dënohen edhe me burg të përjetshëm pa hasur në asnjë kundërshtim të institucioneve të vendit dhe komisioneve parlamentare që kanë mandat të mbrojnë të drejtat e njeriut. Në të njëjtën kohë në Kosovë “avokatë“ të dënuar për dhunim dhe veprime skajshmërisht të pamoralshme gjithashtu shkelin parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar në media se të akuzuarit që tani janë duke u gjykuar duhet të dënohen jo më pak se nga 40 vjet burg! Në rrethana normale Oda e Avokatëve e Kosovës do të duhej të ndërmerte masa për shkelje të Etikës por pasi këtu kemi të bëjmë me njerëz pa kurrfarë morali apo etike dhe pa kurrfarë integriteti profesional dhe njerëzor, ndaj tyre duhet të ndërmerren masa të tjera. Madje, duhet të hetohet rasti se si e kanë fituar licencën e avokatit. Kanë mbetur të merren në pyetje edhe së paku 100 dëshmitarë të ZPS –së në Hagë dhe, nëse shkohet me dinamikën e tashme do të duheshin edhe tre (3) vite që të përfundojnë dëshminë këta dëshmitarë pastaj duhet të dëgjohen edhe dëshmitarët e palës mbrojtëse që nënkupton se vetëm dëshmitarët do të marrin 4 deri 5 vjet e ardhshme që është non sense për faktin se, që nga Procesi i Nyrembergut dhe proceset e tjera të ngjashme në Gjykatën për ish jugosllavi në Hagë, në Arusha të Tanzanisë,Liban, Siera Leone dhe vendet tjera ku ka pasur shkelje masive të së drejtës humanitare dhe krime të luftës me miliona të vrarë, gjykimet kanë qenë shumë më të shpejta sikur që edhe vendimi gjyqësor është marrë brenda një afati të arsyeshëm e që nuk është në kundërshtim me Deklaratën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Se si po zhvillohen ngjarjet vetëm dëgjimi i dëshmitarëve do t’i marrë, së paku 8 vite që nënkupton se të akuzuarit për aq kohë do të qëndrojnë në paraburgim që tejkalon çdo afat normal të një gjykimi të arsyeshëm dhe paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të personave të privuar nga liria, në veçanti. Është e pabesueshme dhe pa asnjë kuptim logjik që Kuvendi i Kosovës përkatësisht deputetët e këtij Kuvendi që thonë se janë themelues të kësaj Gjykate sikur që edhe kjo Gjykatë thirret në ligjet e Kosovës ndonëse me asgjë nuk i detyrohet Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të vendit, nuk kanë guxim që në një seancë apo më shumë seanca parlamentare të diskutojnë për shkeljet flagrante që iu bëhen personaliteteve më të larta ushtarake dhe politike, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Diskutimi për shkelje të drejtave të njeriut në asnjë mënyrë nuk duhet dhe nuk mund të kuptohet si ndërhyrje në drejtësi por se mungon vullneti dhe guximi të trajtohet kjo temë. Se pozita që është në pushtet nuk ka asnjë interesim të kërkojë informata dhe sqarime për pengjet e Hagës, nuk është vështirë të kuptohet sepse shteti po bënë të gjithë ate që mundet për t’ua bërë më të vështirë jetën dhe mbrojtjen e tyre qoftë duke ua shkurtuar mundësinë për mbojtje ligjore përmes heqjes së fondeve apo zbatimit selektiv të Ligjit, qoftë përmes deklaratave publike dhe mënyrave tjera (dërgimi i materialeve siç pati deklaruar në media një politikane e lartë) sikur edhe përmes dëshmitarëve të mbrojtur për çka edhe janë arrestuar persona në Kosovë dhe Shqipëri pasi këtë e kanë thënë publikisht”, thuhet tutje në komunikatë.

KMDLNj denoncon publikisht edhe mungesën e reagimit të organizatave që kanë ekskluzivitet në monitorim në këtë Burg si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Gjenevë, Avokati i Popullit i Holandës dhe, mendermethënë Avokati i Popullit i Gjykatës Speciale. Komiteti për Parandalim të Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, sipas mandatit i takon t’i vizitojë të burgosurit e Hagës për faktin se ata e kanë këtë mandat në tërë botën.

Se si kanë shkuar gjërat deri më tani, KMDLNj –ë me asgjë nuk bindet se të arrestuarit kanë të drejtë për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika dhe grupet e interesit të cilën e garantojnë të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Ka dyshime përtej të së arsyeshmës e ish prokurori Jack Smith ka qenë i përfshirë në afera korruptive për këtë proces sikur që ZPS ka lejuar rrjedhjen e qëllimshme të dokumenteve të ndjeshme pas së cilave janë arrestuar dhe dënuar me dënime kapitale drejtues të Shoqatës së Vetranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Për këtë asnjëherë nuk ka pasur hetime dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi përveç hallkës së fundit që i nënshtrohej përgjegjësisë e që u dënuan nga kjo Gjykatë, Gucati dhe Haradinaj.

Për ta siguruar vazhdimësinë e këtij biznesi shumë fitimprurës për Ekaterina Trandafilovën dhe shpurën e saj burokratike, është sajuar një cilësim juridik si pengimi i drejtësisë në emër të së cilës janë kryer qindra bastisje në Kosovë, janë konfiskuar telefona dhe PC sikur edhe libra, publikime, albume fotografike dhe të tjera dhe janë arrestuar persona të shumtë. Nuk mbahet mend ndonjë proces gjyqësor i kësaj natyre që po zgjatë aq shumë, që ka transparencë nën çdo minimum dhe ku shteti është kundër të akuzuarve të cilët edhe mund të llogariten se janë Etërit Themeltar të Lirisë, Pavarësisë dhe Shtetit të Kosovës”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme