Kapet në Francë shqiptari me 114.6 kg kokainë në kamion

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Një sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar nga autoritetet franceze në një kamion që drejtohej nga një shtetas shqiptar. 50-vjeçari u ndalua në pikën e pagesës së autostradës në Arles, ku gjatë kontrollit të automjetit u zbuluan 114.6 kilogramë kokainë, të fshehura në një hapësirë të posaçme të kamionit. 

Operacioni u zhvillua gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, kur doganierët ndaluan për kontroll një kamion mallrash me targa italiane. Automjeti transportonte produkte ushqimore për një rrjet supermarketesh, por gjatë verifikimeve efektivët zbuluan drogën e fshehur në mbajtësen e bobinave, një pjesë që shërben për stabilizimin e ngarkesës. 

Drejtuesi i kamionit, shtetas shqiptar, u arrestua dhe më pas iu dorëzua Zyrës së Luftës kundër Narkotikëve në Marsejë, përpara se të dërgohej në burg në pritje të daljes para gjykatës. 

Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar përfshirjen në trafikimin e drogës, duke pretenduar se lënda narkotike ishte vendosur në kamion pa dijeninë e tij. Sipas mediave franceze, ai nuk rezultonte më parë i njohur për drejtësinë franceze dhe kishte precedentë penalë të pastër. 

Shqiptari do të përballet me akuzat për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara sipas legjislacionit doganor francez. Ai pritet të dalë para Gjykatës së Taraskonit më 24 nëntor, në procedurë të përshpejtuar. 

Të ngjashme