Supremja vërteton dënimin me 19 vjet burgim ndaj Fitim Vatovcit për vrasjen në Mitrovicë më 2021

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Fitim Vatovci, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe atë të Gjykatës së Apelit, me të cilin Vatovci është dënuar me 19 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit Fitim Vatovci, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Nr.2022:204599, të datës 24.02.2025 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PAKR.nr.346/2025, të datës 15.07.2025”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të përpiluar më 5 tetor 2026.

Gjykata Themelore në Ferizaj, me aktgjykimin e datës 24 shkurt 2025, e kishte dënuar Vatovcin me dënim unik prej 19 vjet burgim. Këtë vendim, e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 15 korrikut 2025.

Kundër këtyre aktgjykimeve, mbrojtësi i të dënuarit Vatovci, avokati Shyqyri Syla, ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin e shqiptuar.

Ai kishte propozuar të anulohen aktgjykimet e kundërshtuara dhe që çështja të kthehet në rigjykim apo të ndryshohen këto aktgjykime, dhe ndaj të dënuarit, të shqiptohet një dënim shumë më i butë.

Mbrojtësi ka pretenduar se Vatovci veprën penale e ka kryer në mbrojtje të nevojshme, ngase viktimat kanë qenë të armatosura dhe se në vendin e ngjarjes, përveç gëzhojave dhe predhave të kalibrit 9×17 mm, është gjetur edhe një predhë e kalibrit tjetër. Ai ka theksuar se kjo vërtetohet edhe nga dëshmia e dëshmitarit M.B., i cili deklaroi se pasi personi ka gjuajtur dhe ka ikur, ka dëgjuar edhe disa krisma të tjera.

Mbrojtja ka pretenduar se gjykatat bënë vlerësim të mangët të provave, duke mos e shqyrtuar ngjarjen në dinamikën e saj reale dhe duke mos i dhënë peshën juridike sulmit ndaj të dënuarit. Po ashtu, ka theksuar se i dënuari i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “o axha J.”, çka tregon se ka munguar elementi i dashjes.

Kurse, Kryeprokurori i Shtetit, me shkresë ka propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit Fitim Vatovci për mbrojtjen e ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar, duke vlerësuar se aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë të përfshira në shkeljet e pretenduara.

Kolegji i Gjykatës Supreme, i përbërë nga Mejreme Memaj- kryetare dhe anëtarët Afrim Shala e Agim Maliqi, pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, konstatoi se kërkesa është e pabazuar.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësit janë të pabazuara, pasi aktgjykimet e instancave më të ulëta nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as shkelje të Ligjit Penal në dëm të të dënuarit.

Sipas Supremes, aktgjykimi i shkallës së parë është hartuar në tërësi në harmoni me Kodin e Procedurës Penale, duke paraqitur arsye për të gjitha pikat e rëndësishme, përfshirë arsyet e refuzimit të pretendimeve për ekzistimin e mbrojtjes së nevojshme.

Gjykata Supreme ka konstatuar se në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për mbrojtje të nevojshme, pasi nuk janë plotësuar kushtet ligjore. Aty thuhet se nuk ka ekzistuar asnjë lloj sulmi nga ana e tani të ndjerit D.S., apo të dëmtuarit J. S.

Sipas Gjykatës, kjo vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit okular M.B., i cili në mënyrë bindëse deklaroi se natën kritike, duke kaluar përskaj parkingut, ka dëgjuar krisma të njëpasnjëshme dhe ka vërejtur tani të dënuarin duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy personave që ishin duke ecur rrugës, me ç’rast njëra viktimë është rrëzuar për tokë. Ai nuk ka vërejtur nëse viktimat kanë pasur diçka në dorë apo nëse kanë qenë duke e sulmuar të dënuarin.

Po ashtu, sipas Supremes kjo vërtetohet nga deklarimi i të dëmtuarit J.S., i cili dëshmoi se natën kritike, së bashku me vëllanë e tij- tani të ndjerin D. S., posa kanë dalë nga banesa për të shkuar tek Emergjenca e Spitalit, ku ishin duke u mjekuar djemtë e tij për shkak të lëndimeve të pësuara në një lokalin nga i dënuari, në afërsi të autolarjes kanë takuar Vatovcin dhe A.B.

Papritmas, thuhet se pa asnjë arsye, i dënuari ka filluar të gjuajë me armë zjarri në drejtim të tyre, edhe pse viktimat kanë qenë duarthatë. Dy predha e godasin tani të ndjerin D.S., i cili vdes, ndërsa dy predha tjera e godasin të dëmtuarin J.S., nga të cilat pësoi lëndime të rënda trupore.

Lidhur me pretendimin se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një predhë e kalibrit tjetër, Supremja ka vlerësuar se pretendimi është i pabazuar.

Në vendim thuhet se nga raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes i Policisë së Kosovës i datës 10 korrik 2021 dhe raporti i ekspertimit të dëshmive i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë i datës 28 prill 2022, rezulton se të gjitha gëzhojat e evidentuara dhe predhat (përfshirë ato të nxjerra nga trupi i viktimës D. S. me rastin e autopsisë) janë të kalibrit 9×17 mm dhe janë shkrepur nga e njëjta armë– pistoletë, të cilën e kishte përdorur i dënuari. Dhe se nuk është gjetur asnjë dëshmi apo provë (predhë apo fishek) që është shkrepur nga ndonjë armë tjetër.

Shkalla e tretë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar dhe analizuar në mënyrën e duhur të gjitha provat e administruara, një nga një dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, duke mos i falur besimin versioneve të deklarimit të të dënuarit.

Sipas Supremes, veprimet e të dënuarit i përmbajnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të figurës së veprës penale “Vrasja e rëndë”, të cilën e ka kryer me dashje, për shkak të një përleshjeje paraprake që kishte ndodhur ndërmjet djemve të të dëmtuarit dhe të dënuarit.

Lidhur me vendimin për dënimin, Supremja ka sqaruar se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të paraqitet për shkak të vendimit lidhur me dënimin e shqiptuar.

Për këto arsye, Gjykata Supreme ka arritur në përfundimin se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pabazuar. Në shtator 2022, Prokuroria Themelore në Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Vatovcit, i njohur si “Laka”, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja ka ndodhur më 10 korrik 2021 në Mitrovicë, kur i pandehuri, pas një përleshjeje në një kafene, se ka shkuar në një autolarje ku ndodheshin vëllezërit D. dhe Jeton Salihu. Aty, Vatovci akuzohej se ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur D.S. dhe plagosur rëndë Jeton Salihun.

Vatovci akuzohet për vrasje të rëndë sipas nenit 173 të Kodit Penal të Kosovës dhe për armëmbajtje pa leje. Ai ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, të cilën e kishte përdorur ditën kritike siç përshkruhet më lartë.

Në këtë rast akuzohet edhe Ardian Beqiri se e ka ndihmuar Vatovcin t’i shmanget arrestimit. Beqiri ndodhet në arrati jashtë vendit dhe procedura ndaj tij është veçuar. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme