Trent Alexander-Arnold e lavdëroi aftësinë e Jurgen Kloppit për ta nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij, pasi mbrojtësi anësor e luajti një rol kyç në fitoren me rezultat 3:2 të Liverpoolit kundër West Hamit.
Lideri aktual i Premierligës u detyrua ta përmbysë deficitin e pjesës së dytë të hënës, për ta marrë fitoren e 18-të radhazi në Premierligë, duke e barazuar rekordin e Manchester Cityt në këtë garë, transmeton Gazeta Express.
Alexander-Arnold e luajti një rol kyç në këtë fitore, duke e asistuar golin e shënuar nga Sadio Mane në minutën e 81-të, përderisa e kishte bërë harkimin edhe për golin e parë të ndeshjes në Anfield, të shënuar nga Georginio Wijanaldum.
“Kemi udhëzime nga trajneri, e kemi një plan loje dhe një mënyrë se si duhet të luajmë futboll”, sqaroi Arnoldi për Sky Sports.
“Jo çdo ndeshje është e njëjta. Kundërshtarët organizohen në mënyra të ndryshme, që do të thotë se edhe ne duhet të përdorim taktika të ndryshme. Por, trajneri na jep liri, ai i kupton cilësitë e lojtarëve të vet”.
“Kjo është një gjë shumë e madhe për ne. Ai na i jep lirinë të dalim në fushë dhe ta shprehim veten sa më shumë që të mundemi”.
“Ne jemi skuadër sulmuese. Duam të krijojmë raste dhe të shënojmë gola, t’i lëndojmë kundërshtarët. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të dërgojmë lojtarë përpara në sulm dhe të krijojmë sa më shumë raste”. /Gazeta Express/