Klopp kërkon perfeksion nga Liverpooli për ta eliminuar Real Madridin

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Liverpooli duhet të prodhojë një “performancë perfekte” për të kapërcyer deficitin e ndeshjes së parë dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ka insistuar trajneri Juergen Klopp.

Klopp është i bindur se vetëm një paraqitje madhështore do t’i ndihmoj Liverpoolit për të tejkaluar Real Madridin. Në ndeshjen e parë të luajtur në Madrid, Liverpooli pësoi humbje me rezultatin 3:1. Të mërkurën mbrëma prej orës 21:00, Liverpooli e pret në stadiumin “Anfield Road” skuadrën madrilene. Kështu që Liverpooli nëse dëshiron të bëjë edhe një rikthim të famshëm në Ligën e Kampionëve, duhet të bëjë ndeshjen më të mirë të këtij sezoni. Në rast se kalon tutje kjo do të jetë hera e tretë që Liverpooli do të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në katër vjetët e fundit. Nëse Liverpooli eliminohet, atëherë kampioni në fuqi i Anglisë, do ta mbyll këtë sezon pa asnjë trofe. Me shtatë ndeshje deri në fund të sezonit në Premier League, tashmë është matematikisht e pamundur që Liverpooli të mbrojë titullin pasi zë vendin e pestë në tabelë dhe ka 22 pikë më pak se Manchester City që është lider. Kështu që të gjitha shpresat për ta shpëtuar këtë sezon zhgënjyes janë te Liga e Kampionëve.

“Ky ekip i Real Madridit ka disa nga talentet më të mëdhenj të futbollit në botë. Kjo nuk është një befasi – është ajo që bën Real Madridi. Pra, për të mposhtur një skuadër si kjo duhet të përpiqesh gjithmonë për të pasur një paraqitje perfekte”, tha Klopp në konferencën për shtyp të martën. “”Por ajo që nuk do ta harrojmë është se si ekip jemi shumë të mirë, kemi lojtarë të talentuar dhe mund të prodhojmë momente të veçanta. Kemi karakterin e duhur për të bërë diçka pasi jemi Liverpooli”.

Liverpooli është ekip që ka ditur të bëjë kthesa të mëdha në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2019, skuadra angleze arriti ta eliminojë Barcelonën në gjysmëfinale përkundër që kishte pësuar humbje në ndeshjen e parë me rezultatin 3:0. Në duelin e kthimit, Liverpooli fitoi 4:0 dhe u kualifikua në finale të kësaj gare, të cilën edhe e fitoi në atë vit. Megjithatë, Klopp ka thënë se mungesa e tifozëve në tribunat e stadiumit “Anfield Road” për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, ka ndikim të madh.

“Mungesa e tifozëve do të ndihet por këtë herë është radha jonë që të luajmë për ata. Nuk kemi çfarë të humbim dhe do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja në ndeshjen e kthimit. Është mundësia e vetme për të arritur diçka këtë sezon, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë”, është shprehur Klopp. “Kemi bërë rikthime të mëdha në të kaluarën dhe nuk do të dorëzohemi as këtë herë. Besoj në një paraqitje të mirë dhe për ta mposhtur një ekip si Reali, duhet të luajmë shumë më mirë se në ndeshjen e parë”.

Edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Andy Robertson ka pranuar se mungesa e tifozëve do të ndikojë shumë. Megjithatë, ai ka shtuar se futbollistët e Liverpoolit e kanë përgjegjësinë për të krijuar atmosferën vetvetiu. Sipas Robertsonit vetëm në këtë mënyrë është i mundur rikthimi ndaj Real Madridit.

“Rikthimi i rezultatit kundër Barcelonës para dy vjetësh, nuk do të ishte i mundur pa praninë e tifozëve. Ata na ndihmuan shumë në këtë aspekt dhe tani mungesa e tyre do të jetë e madhe. Por, ne do të mundohemi të krijojmë atmosferë në zhveshtore përpara se do të dalim në fushë. Kemi mundësinë e fundit për të bërë diçka dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”.

Benzema do të jetë i motivuar për këtë ndeshje pasi i nevojitet vetëm një gol për të barazuar rekordin e Raul Gonzalezit në Ligën e Kampionëve. Raul është golashënuesi më i mirë në histori të klubit në Champions me 71 gola të shënuar, një më pak ka francezi Benzema.

Ndërkohë rikthim të rezultatit në ndeshjen e dytë çerekfinale po kërkon edhe Borussia Dortmundi. Ekipi gjerman të mërkurën mbrëma e pret skuadrën e Manchester Cityt në stadiumin “Signal Iduna Park”. Në ndeshjen e parë, Dortmundi pësoi humbje 2:1 në udhëtim nga City. Megjithatë, te Dortmundi nuk janë të sigurt për paraqitjen e sulmuesit Marco Reus dhe mbrojtësit Mats Hummels që pësuan lëndime në ndeshjen e fundit. Ndërkohë, Dortmundit përfundimisht do t’i mungoj mesfushori anglez Jadon Sancho.

“Duhet të kemi kurajo dhe të luajmë me vetëbesim. Kemi përballë një ekip si Manchester City që këtë edicion ka treguar paraqitje fantastike. E rëndësishme është që ne jemi të motivuar dhe do të futemi në ndeshje për të fituar dhe vazhduar garën në Ligën e Kampionëve”, ka thënë trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, që pret gola prej sulmuesit norvegjez Erling Haaland.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka kërkuar nga futbollistët e tij që mos të luajnë me emocione por të angazhohen maksimalisht në ndeshjen e kthimit kundër Dortmundit. Madje, Guardiola ka thënë se i duhen 11 liderë në fushë për të avancuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Nëse duam të fitojmë, duhet ta meritojmë atë, duhet të shkojmë për të. Kjo do të ndodhë, ashtu siç e kemi bërë shumë herë këtë sezon. Sigurisht që duhet të kontrollojmë emocionet, por ndonjëherë ju nevojiten emocione në një mënyrë të mirë për të fituar ndeshje të tilla. Ne nuk do të bëjmë ndonjë gjë të veçantë, thjeshtë do të shkojmë për ta fituar ndeshjen dhe secili prej lojtarëve duhet të jetë lider në fushë”, ka thënë Guardiola.

E mërkurë (21:00)

Liverpool – Real Madrid (1:3)

Borussia D. – Man. City (1:2)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme