City kthehet me barazim nga Madridi, finalisti vendoset në “Etihad Stadium”

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 23:05 | Nga Ekonomia Online

Real Madrid dhe Manchester City kanë barazuar me rezultat 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në “Santiago Bernabeu”.

Ndeshja nisi me një ritëm shumë të lartë të Manchester City-t, të cilët dominuan në çdo cep të fushës në “Bernabeu”.

Megjithatë, skuadra e Pep Guardiola-s nuk arrinte t’i konkretizonte rastet.

Goli i Real Madrid-it erdhi nga goditja e parë e tyre në portë në ndeshje në minutën e 36-të.

Vinicius Junior shënoi një gol spektakolar nga jashtë zone, i cili mori një asistim nga Eduardo Camavinga që bëri shumë në këtë aksion.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të Real-it, derisa fraksioni i dytë gjithashtu foli ne favor të mysafirëve.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 67-të, kur Kevin De Bruyne shënoi një gol shumë të bukur nga rreth 30 metra distancë.

Deri në fund, raste pati nga dyja skuadrat për ta fituar ndeshjen, por portat më nuk u prekën.

Kështu gjithçka do të zgjidhet në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet të mërkuren tjetër në “Etihad Stadium”.

Të ngjashme