Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për përmbylljen e garës ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”, e cila për herë të parë u mbajt në Kosovë, e cila u mbajt nën përkujdesjen e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkorganizim me Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).
Pas tri ditësh aktivitetesh, janë shpallur tri ekipet fituese dhe janë ndarë çmimet përkatëse. Maqedonci ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët, duke vlerësuar idetë dhe zgjidhjet e prezantuara, si dhe potencialin e të rinjve për të kontribuar në zhvillimin e teknologjisë në fushën e mbrojtjes.
“Pas tre ditësh me aktivitete, sot përmbyllëm garën ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”, e cila u mbajt për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëorganizim me Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).
Në ceremoninë përmbyllëse pata kënaqësinë t’i falënderoj të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët për punën dhe angazhimin e tyre gjatë këtyre tre ditëve.
Në fund, ndamë edhe çmimet për tri ekipet fituese, por për mua secili ekip që mori pjesë ishte fitues. Ishte kënaqësi të shihja nga afër idetë dhe zgjidhjet që u prezantuan, si dhe potencialin që kanë të rinjtë për të kontribuar në zhvillimin e teknologjisë në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar Maqedonci.
Postimi i plotë: