“Flakën e Janarit” po e mban ndezur tutje Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, përmes shfaqjeve që po vijnë në skenën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, ku nata e dytë ishte e rezervuar për shfaqjen ‘Aroma e Hënës’ me autor Mehmet Kraja dhe regji të Rozi Kostanit, luajtur nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Aroma e Hënës” është pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e autorit Mehmet Kraja që vlerësohet si një dramë provokative e ditëve tona, filozofike dhe surealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale, social-politike e politiko-mediale.
Drama e Krajës, regjia e Kostanit dhe loja e kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka bërë që shfaqja të komunikojë me publikun e zjarrtë gjilanas, që kësaj here ishte me numër të kufizuar, për shkak të masave anti-pandemi.
Ngjarja zhvillohet në redaksinë e një gazete në Kosovën e pasluftës. Përgjatë rrjedhës së kësaj ngjarje, që vije përmes shfaqjes “Aroma e Hënës”, ngritën dilema dhe pikëpyetje esenciale, për luftën, për paqen, për lirinë, shtetin, demokracinë, për shpresën, për zhgënjimin… ngritën problematikat evidente në realitetin tonë, në shoqërinë tonë, në politikën tonë, në mediumet tona…, në zhgënjimin e individit…
Shfaqja përshkruan realitetin tonë në të cilin po jetojmë edhe sot, por sidomos në dy dekadat e fundit. Pra na rikujton përjetimet e luftës, por edhe çfarë po përjetojmë paslufte.
Pas një lufte vije paqja, vije liria e shumëpritur, por kjo liri a po i përmbush pritjet, a po i japim kuptim lirisë, a e kemi harruar çmimin e paguar për të, gjakun e derdhur, apo po abuzohet me të… Shumë pyetje, shumë dilema, shumë gjykime solli kjo shfaqje.
Drama arriti që ta përçojë mesazhin te publiku i pranishëm, një mesazh që na grish për ndërgjegjësim shoqëror, që ne duhet të vetëdijesohemi e ndërgjegjësohemi lidhur me atë se ku ishim, ku jemi, rrugën që e kemi kaluar më shumë se dy dekada pas çlirimit, por që në fakt jemi çliruar nga armiku, por se kemi bërë dot çlirimin e brendshëm, çlirimin nga të këqijat tona që na mbajnë peng e që janë përbrenda nesh, që dëshmohen me realitetin tonë aktual.
Referuar subjektit të shfaqjes, autori Kraja na përballi me pikëpyetje ekzistenciale të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, (e cila nuk ka ardhur ende por me gjasë do t’i ndryshojë disa gjëra),duke i ballafaquar personazhet në raporte sa sociale aq edhe filozofike. Perceptimi i të shkuarës shpresëmadhe luftës, dhe pas lufte… kush jemi ne…, ku jemi… a ka ardhur liria…, demokracia në këtë vend çfarë është, dhe në fund, a jemi të lumtur?! Apo, Liria është një shpikje e pamundur! Kjo përçapje për të kuptuar këtë kaos shpirtëror e mendor i zhvillon karakteret drejt një konflikti dramatik të përshkallëzuar dhe duke mos gjetur rrugëdalje ata shkojnë drejt fatalitetit.
Në shfaqje luajtën: Ismet Azemi, Armend Baloku, Donikë Ahmeti, Shpëtim Kastrati, Xhejlane Godanci, Veton Osmani, Naim Berisha, Adhurim Demi, Basri Lushtaku, Butrint Lumi dhe Ramadan Malaj.
Festivali i Dramës Shqipe vazhdon tutje me shfaqjen “5 ditë mbret” me tekst të Stafan Çapalikut e regji të Gjergj Prevazi, nga Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës.