Arrestohen 16 persona për kontrabandë me mallra nga Maqedonia, 7 në kërkim

Prishtinë | 08 Gus 2018 | 14:40 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës në kuadër të aksionit “Rrjeta” ka arrestuar sot 16 persona shqiptarë, pjesëtarë të një grupi kriminal të organizuar, të cilët akuzohen për kontrabanim me mallra nga Maqedonia. Ndërsa 7 persona të dyshuar janë ende në kërkim, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar, Rexhep Fetahu, tregoi se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe në të kanë marrë pjesë 160 hetues policorë, 60 doganierë dhe 10 inspektorë të ATK-së.

Në këtë aksion janë konfiskuar mbi 5 mijë euro, sasi cigaresh, duhan refuz, vajra motorike të kontrabanduara nga Maqedonia. Derisa janë konfiskuar 15 automjete më të cilat dyshohet se të arrestuarit kanë kryer veprat.

“Janë sekuestruar 5150 euro, 400 mijë cigare të ndryshme pa banderola ose me banderola të Maqedonisë, që do të thotë kemi kontrabandim të mallrave nga shteti tjetër, janë sekuestruar mbi 450 kilogramë duhan refuz, vajra motorike mbi 6 tonë, vlera e tyre është mjaft e madhe. Janë sekuestruar 37 mijë copë produkte higjenike për të cilat nuk është paguar akciza apo dogana”.

Përfaqësuesi i Doganave të Kosovës, Blerim Krasniqi, bëri të ditur se vlera e mallrave të konfiskuara që nga fillimi i hetimit të rastit është rreth 1 milion euro, raporton EO.

“Totali i përafërt i vlerës së mallrave të kontrabanduara, që nga fillimi i hetimit të rastit, është rreth 1 milion euro. Shuma e shmangieve të detyrimeve doganore është rreth 350 mijë euro, kurse vetëm për sot, mallrat e konfiskuara dhe sekuestruara  kalojnë shifrën mbi 100 mijë euro”.

Krasniqi deklaroi se duahni është i grirë dhe se në raport janë konstatuar makineri të vogla që bëjnë mbështjelljen, por jo makineri të mëdha të përpunimit të duhanit.

Prokurori i Shtetit për komunikim me media në Prokurorinë Speciale, Sylë Hoxha, bëri të ditur se para një viti në bazë të një kallëzimi penal janë zhvilluar hetime ndaj këtij grupi kriminal.

“Në bazë të kërkesës së PSRK-së, Gjykata Themelore në Ferizaj ka lëshuar urdhër kontrolli me ç’rast është implementuar aksioni ‘Rrjeta’ mëngjesin e sotëm”.

“Malli i konfiskuar për të cilin po bëhet fjalë ka hyrë nga Republika e Maqedonisë në Kosovë përmes këtyre personave apo personave tjerë të mundshëm të cilët gjatë hetimeve mund të jenë pjesë e kësaj procedure. Është grup kriminal mjaft mirë i organizuar”.

Hoxha ka cekur veprat të cilat, sipas tij, i kanë kryer të arrestuarit, raporton EO.

“Vepra kryesore është krimi i organizuar, pastaj kemi kontrabandim të mallrave, shmangie nga pagesat e tarifave doganore, shmangie nga tatimi, tregti e ndaluar dhe vepra që kanë të bëjnë me produktet me akcizë. Për hir të hetimeve, nuk do të ishim lëshuar në detaje. Jemi duke përgatitur kërkesën për paraburgim. E kemi vlerësuar si sukses të organeve me rastin e arrestimit dhe konfiskimin e mallrave dhe mjeteve me të cilat janë kryer këto vepra”.

Hoxha theksoi se ky grup ka vepruar edhe më herët, mirëpo duke iu falënderuar doganave dhe Policisë së Kosovës  tha se iu kanë rënë në gjurmë dhe sot është zhvilluar aksioni ndaj shumicës prej pjesëtarëve të grupit.

Të ngjashme