Lëvizja Vetëvendosje, njofton se policia i ka arrestuar dy aktivistë të saj, Veton Dragushën e Blerim Maqastenën, për shkak të pjesëmarrës në një protestë para disa viteve.
Vetëvendosje, ka akuzuar pushtetin për arrestimin e tyre, ndërsa kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre.
Njoftimi i plotë i VV-së:
Në vend që të luftojë strukturat ilegale dhe t’i arrestojë pjestarët e saj që çdo ditë e luftojnë shtetin tonë, pushteti kriminal i Isa Mustafës vazhdon përndjekjen dhe arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s. Derisa dje ky kryeministër e emëroi drejtuesin e këtyre strukturave, Ivan Todosijeviqin, për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal, sot veglat e tij arrestuan aktivistët Veton Dragusha e Blerim Maqastena, për shkak të pjesëmarrës në një protestë para disa viteve.
Ka kohë që ky pushtet e ka bërë të qartë se angazhimi i tij është në kundërshtim me interesin e shtetit të Kosovës. Ky pushtet që protestuesit i lufton haptasi është i vendosur po e shndërron Kosovën në një shtet të egër autoritar.
Prandaj është domosdoshmëri edhe angazhimi kundër vazhdimit të kësaj qeverisjeje.
Aktivistët duhet të lirohen menjëherë dhe përndjekja ndaj VETËVENDOSJE!-s të ndalojë.