Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me hetuesit e stacionit policor në Suharekë, pas një pune operativo-hetimore dhe në bazë të informatave të mbledhura nga terreni, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për rastin e grabitjes që ka ndodhur më 29 janar 2021 në Sopijë të Suharekës.
Në këtë rast të dyshuarit, sipas njoftimit të Policisë, nën kërcënimin e thikës i kanë marrë viktimës portofolin në të cilin i kishte rreth 87 euro dhe dy telefona mobilë.
Gjatë grabitjes të dyshuarit e kanë lënduar viktimën në regjionin e gjoksit me thikë dhe të njëjtit ishin larguar.
I dyshuari A.Q. i lindur në vitin 2005 (i mitur), dhe V.K., i lindur në vitin 1998, janë arrestuar sot.
Të dyshimtit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Siç njofton Policia e Rajonit të Prizrenit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit të mitur i caktohet masa e ndalimit prej 24 orësh, kurse të dyshuarit tjetër i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.Me rastin po merren hetimet rajonale të policisë në Prizren.